Borges
Jeta ime si refugjate, ku turpi vret më shumë se uria

Jeta ime si refugjate, ku turpi vret më shumë se uria

Nga Dina Nayeri/ Po kërkonim azil prej gjashtëmbëdhjetë muajsh, të kaluara mes hosteleve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Italisë, kur familja ime mbërriti në Oklahoma. Në Iran ishim një familje e respektuar mjekësh dhe studiuesish. Por si refugjatë, gjëja më e vështirë për t’u duruar nuk ishin as uria dhe as i ftohti, por turpi i përditshëm: për atë pak që kishim, sepse titujt tanë të studimit nuk vlenin për asgjë, për ngjyrën e lëkurës sonë, për aromën e fortë të pjatave që gatuanim, për zakonet tona të huaja.

Shkuam të jetonim në zonën “e keqe” të qytetit. Ishte një vend i pakalueshëm: në një parking të mbushur me rrangullina të ndryshkura, bishtat e cigareve ishin hedhur mes pellgjeve me vaj; fëmijë të ndotur qëndronin të qullur në një mol të mjerë deri mbrëmjen vonë. Në komunitetin tonë të ri prisnim të gjenim emigrantë si ne, njerëz të tjerë të sapoardhur me etjen për të studiuar e për të punuar. Por ishim të rrethuar nga amerikanë të varfër dhe kjo na bëri të tregoheshim dyshues: si kishin arritur deri këtu edhe pse kishin të gjitha të mirat e botës, kishin pasaporta amerikane dhe shkolla amerikane?

Unë, nëna dhe vëllai im jetonim në dy dhoma dhe qëndronim për hesapin tonë. Pas disa muajsh, ime ëmë u martua me një iranian si ne, me emrin Rahim, dhe vajza e tij që ishte gjysmë amerikane ndonjëherë qëndronte me ne. Unë nuk isha mësuar të jetoja në mënyrë kaq modeste. Mezi na dilte hapësira për të marrë frymë.

E megjithatë i adhuroja vizitat e motrës sime nga njerku. Ishte mikja ime e vetme  dhe mund t’i besoja se nuk do t’i zbulonte sekretet tona iraniane shoqeve të klasës, sepse ishin një njollë edhe për të. Ama ajo kishte qasje në diçka që për mua ishte hermetike: rrënjë amerikane, krenari amerikane, mundësi për të qenë thjesht vetvetja. Kur isha 11 vjeç m’i prenë flokët e mi të bukur për të më bërë një stil ala gjerman, stil si i Joan Jett. Pastaj nisi puberteti dhe hunda ime iraniane filloi të dukej. Më dukej se madje edhe trupi im po dorëzohej në kotësinë e përpjekjeve të pafundme për t’u dukur normale, apo amerikane.

Apartamenti ynë i vogël ishte streha jonë. Ishte një hapësirë eksluzivisht iraniane, e cila mund të mbante aromë qepësh dhe shafrani, mund të ishte mbuluar me tapetë gëzofi dhe më ngjyra të ndezura dhe asnjërit nuk i bënte përshtypje. Ishte një vend ku amerikanët nuk penetronin.

Në një hapësirë kaq të vogël, nxehtësia e Oklahomas e bënte shumë të vështirë gatimin e përditshëm, kështu që një ditë gushti vendosëm të gatuanim për të gjithë javën. Në mëngjes Rahimi, pa këmishë, ishte në kuzhinë dhe po gatuante orizin, po priste patëllxhanët dhe po i bënte qepët kubikë. Në një tenxhere po përgatitej një prej pjatave më të mira persiane, ghormeh sabzi, një qengj i shijshëm duke përfshirë çdo gjë me aromën e butë. Ajo aromë do të mbeste për ditë me radhë, por ne aq na bënte. Në fund të fundit, ishim vetëm ne. Mamaja kishte hedhur në dyshemenë e dhomës së ndenjes, mbi çarçafët e vjetër, një qilim të lehtë që përdoret për të ngrënë.

Derën e kishim lënë gjysmë të hapur, ku prej saj u duk një fytyrë e ndrojtur. I përkiste pastorit të ri të kishës, një djalë 25-vjeçar që dukej i freskët si një lule pavarësisht të nxehtit apokaliptik. “Përshëndetje! Jemi grupi i mirëseardhjes”, tha me një mënyrë të ngrohtë e të qetë tipike për Oklahomën, të cilën do ta mësoja më vonë. Hyri brenda. Pas tij, të ndrojtur, qëndronin katër djem të shkollës sime që shihnin rreth e rrotull dhe pëshpërisnin mes tyre. Njëri nuhaste fort.

Edhe pse kanë kaluar tridhjetë vjet, nuk kam ndjerë kurrë më shumë turp se atë mëngjes. Si të gjithë, gjeta njëqind mënyra për t’u bërë qesharake. Një herë më zuri rruga dhe shefit tim iu desh të më mbante flokët prapa qafës teksa villja anës rrugës. Një herë tjetër u ngjita në pistën e kërcimit me fundin e futur mes të mbathurave. Por kur ndodhën këto gjëra isha e rritur dhe e kisha cipën e fortë. Ditën që erdhi grupi i të rinjve për të na vizituar, isha aq e vogël sa mund të shkatërrohesha.

Këtë gjë shumica e njerëzve nuk e kupton për një refugjat: turpin e vazhdueshëm dhe shikimin që artikulon çdo hap. Një sekondë pasi kuptova se ata njerëz kërkonin të hynin brenda, pashë çdo gjë me sy tjetër, me sy amerikan: çarçafët e vjetër, veshjet e blera në tregun e gjërave të përdorura, aromat e çuditshme të kuzhinës, legenin në tualet për t’u larë, librat iranianë dhe fotografitë si refugjatë.

Vizitorët nuk ndenjën gjatë. Ishim shumë të ngathët teksa një herë vraponim për të ofruar çajin dhe nga ana tjetër kaurdisnim gjellën në tenxhere. Për ta kjo ishte një vizitë hiçgjë, thjesht kishin ndaluar për të na përshëndetur, por mua më kishin shkatërruar fundjavën. Ndoshta sot njerëzit janë më të ndjeshëm kundrejt dinjitetit dhe klasës sociale, mizorisë ndaj lidhjes me të tjerët, sidomos në hapësirat private.

Por për ne nuk kishte të bënte vetëm fakti se ishim të varfër. Ishte një tërësi helmuese poshtërimesh që i bëheshin refugjatëve: stigma për origjinën tonë nga Lindja e Mesme, varfërinë tonë, faktin që përfunduam aq larg nga shtëpia, faktin se kishim humbur kaq shumë nga vetja. Në Iran, nëna ime ishte mjeke dhe kjo peshonte shumë në llogaritjen tonë private të turpit.

E gjitha kjo ka marrë fund prej kohësh. U asimilova dhe shkova përtej, përfundova studimet dhe rifitova të drejtën time për të udhëtuar. Por ajo që mbaj mend si fëmijë refugjate është kjo: dinjiteti është i rëndësishëm. Kur isha refugjate, nevojat tona konkrete kishin shumë pak rëndësi përballë atyre psikologjike. Shpejt mësova se kur ke uri, përkohësisht të dhemb stomaku, por dëmtohet krenaria. Dhe nevojitet një jetë e tërë për ta risjellë në gjendjen fillestare./Dina Nayeri është shkrimtare iraniano-amerikane./Artikulli është botuar në “Los Angeles Times” dhe në shqip është përkthyer nga Erjon Uka.

Botuar edhe në Tiranapost.al, Fjala.al dhe gazetën Fjala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *