Për turizmin jemi të gjithë nën të njëjtën çadër
Nga Erjon Uka/ Parashikohet se temperaturat do të ngrihen. E këtu nuk ka asgjë të pazakontë, sepse në fund qershori jemi. Por e jashtëzakonshmja e këtij viti lidhet me vonesën e fillimit të sezonit turistik, normalisht për arsye që dihen. Karantina ishte letargji dhe zgjimi është i avashtë. Të trullosur nuk jemi vetëm ne, por edhe sipërmarrjet e vetë shteti rregullator.
Lexoja se në kuadër të “Dekretit të rinisjes”, Italia jepte një kontribut prej 500 eurosh për familjet me të ardhura më pak se 40 mijë euro në vit që zgjidhnin të pushonin në vend. 80% e bonusit, pra 400 euro, merrej si zbritje në momentin e pagesës së hotelit, ndërsa pjesa tjetër hiqej nga taksa mbi të ardhurat në vitin 2021. Nismë interesante! Por që nuk është zgjidhje për problemet e turizmit, kjo nuk do shumë mend të kuptohet. Që normalisht procedurat burokratike do ta pengojnë zbatimin e plotë të kësaj nisme, merret me mend. Është kuptuar prej kohësh tashmë se reklamat me ngjyra për jetën e ëmbël në Itali, e kudo në Europë, janë thjesht publicitet dhe jo pasqyrë e realitetit. Por ama kjo nismë është një gjest sado simbolik përbashkimi, si edhe për të treguar rëndësinë e turizmit në ringritjen ekonomike të pas-karantinës.
Sezoni turistik në Shqipëri ka nisur, dhe kryelajm i javës së shkuar ishte mbërritja e një çarteri me turistë bjellorusë. Pak media kanë nisur një fushatë për të nxitur blerjen e produkteve shqiptare si edhe bërjen e pushimeve në Shqipëri. Pushimet në shtëpi, dhe kjo është shpresëdhënëse! Por pushuesit vendas jane ende të paqartë se si do të zhvillohet plazhi këtë vit. Bizneset po ashtu, nëse duhet të vendosin çadra e shazllonge, apo nëse do të hapen kufijtë për të pritur turistët që kishin prenotuar nga “Booking”, sepse gjithçka, me të drejtë fundja, rrotullohet rreth çmimeve e fitimit. Në Vlorë, një shef kuzhine, përsëriste gati me arrogancë se “normalisht që do rrisim çmimet, me këtë situatë, normalisht që do rrisim çmimet”.
Dhe ky është goxha problem. Pasi përtej dashamirësisë së medias, personazheve publikë, dëshirës për të shpëtuar sezonin dhe ringritur sado ekonominë, kënaqësia e pushimeve është e shenjtë dhe zgjedhjet diktohen veçanërisht nga sa mban xhepi. Sigurisht që në një ekonomi tregu çmimet përcaktohen nga mekanizmi i kërkesë-ofertës, por në mënyrë të theksuar në sipërmarrjen shqiptare ka një “metodologji” për kapitalizimin e fitimit nga pronarët dhe shkarkimin e atypëratyshëm të barrës kryesore te konsumatori.
Ndër stimujt më efektivë, por edhe më të vështirë ekonomikë, është rritja e konsumit. Dhe në kohë krizash nuk duhet të tregojmë se sa mund të përfitojmë nga tjetri, por se si mund të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Jo më kot gjatë krizës në Greqi, çmimet e paketave turistike u ulën. Jo më kot gjatë trazirave në Turqi, po ashtu çmimet e paketave u ulën. Turizmi në Shqipëri është njëkohësisht mundësi e artë dhe potencial i ndrydhur, e me siguri që ky nuk është viti i volitshëm për ta zgjidhur këtë problem. Por a mos është rasti, kur të gjithë jemi disi në vështirësi, të tregojmë solidaritet?
Pra sipërmarrjet, jo si ai shefi i kuzhinës që rastisa të dëgjoj, duhet të marrin pjesën e vetë të përgjegjësisë dhe të tregojnë qëndrueshmëri përgjatë sezonit, në çmime e cilësi. Pushuesit të mundohen të pushojnë shqip. Ndërsa autoritetet shtetërore, të ndajnë mendjen se ç’do bëjnë, e nëse nuk kanë ndonjë paketë stimujsh financiarë të silit “alla italian”, minimalisht mos të kujtohen në pikun e vapës të shembin disa barraka pa leje në bregdet. Askush nuk joshet për të pushuar nën zhurmën e fadromave dhe tymit të betonit.
Dhe simbol i kësaj situate, është ajo fatura e kosit dhe pilafit publikuar pak ditë më parë në rrjet, që nxiti irritim dhe indinjatë. Nëse do duam turizëm afatgjatë, lokaleve të mos u shkojë në mend ta shesin pilafin 800 lekë. Nëse do duan shërbim cilësor, pushuesit nuk duhet me dashakeqësi të tregojnë faturën e tetë personave sikur kishte ngrenë një i vetëm. Nëse do duan me të vërtetë të promovojnë turizmin, mediat duhet t’i vërtetojnë disa lajme para se t’i publikojnë. Nëse do duan ta kthejnë turizmin në prioritet, autoritetet duhet t’i ushtrojnë kontrollohet periodikisht e jo me fushata. Kaq e thjeshtë, e thjeshtë sa një pjatë me pilaf e një gotë kos.
Post-pandemia, kudo në botë e jo vetëm në Shqipëri, do të tregojë nëse kishte të drejtë Jacques Attali, që thoshte se pas krizës do të kemi një shoqëri më të mirë ku do të mbizotërojë altruizmi, apo Javier Marias, se asnjë nuk përmirësohet për shkak të dhembjes apo të frikës, por përkundrazi përkeqësohet. Kush e di. Por tani në fillim të këtij sezoni, që të mos përcëllohemi nga dështimi i nxehtë i verës, duhet ta kuptojmë se jemi të gjithë nën të njëjtën çadër.
Botuar edhe në Tiranapost.al