Montanelli
Fernando Aramburu: Bashkim dhe tragjedi, Atdheun secili e sheh në mënyrën e tij

Fernando Aramburu: Bashkim dhe tragjedi, Atdheun secili e sheh në mënyrën e tij

“Euskal Herria” është një fjalë e papërkthyeshme, në gjuhën baske do të thotë vend dhe popull bask, një lidhje që nuk mund të ndahet nga toka dhe komuniteti që jeton në të. Atdheu, në të njëjtën kohë është “aita” dhe “ama”, baba dhe mama, është përkatësi absolute, si familja, por edhe tragjedi e mallkim njëkohësisht.

Tokës baske Fernando Aramburu i ka dedikuar një roman, një event letrar në Spanjë, ngjarjet e të cilit zhvillohen në vitet e terrorizmit separatist të ETA-s që shkaktoi 829 të vdekur nga viti 1968 deri në vitin 2011.

Aramburu në këtë roman pikturon një afresk epik, në të cilin atdheu bashkon dhe ndan, është ai që ndan baballarët nga bijtë, gratë nga burrat, miqtë nga miqtë. Sepse nuk ekziston vetëm një mënyrë për të përjetuar një ndjenjë, qoftë dashuri apo urrejtje. Në romanin e Aramburut, sipërmarrësi Çato, i vrarë sepse refuzon të paguajë paratë e kontributit ndaj çështjes separatiste, gruaja e tij Bitori dhe fëmijët Nerea dhe Shabier, ndahen nga familja e Joshianit dhe Mirenit, që kanë djalë Joshe Marin, i cili vuan dënimin në burg si terrorist. Çdo person është një atdhe. Dhe çdokush përpiqet të kuptohet në veçantinë e tij.

Romani juaj flet për lidhje: familja, miqtë, toka. Euskal Herria: vendi dhe populli bask. A është atdheu një vlerë? A është përkatësi? Apo është dënim? Një mallkim që na ndalon t’i përjetojmë marrëdhëniet me të tjerët duke i njohur thjesht si njerëz?

Atdheu nuk është koncept me vetëm një kuptim. Ndryshon nga një njeri në tjetrin, nga një vend në tjetrin. Ekziston një ndjenjë e dashur për atdheun nga e cila nuk përjashtohet asnjë qenie njerëzore e aftë për shoqërizim. Bëhet fjalë për atë vend ku është kaluar fëmijëria, ku janë mësuar shkronja dhe numra, ku krijohet lidhje emocionale me peizazhe të caktuara, nga vijnë të parët tanë ose prej nga është ekipi i futbollit, fitoret e të cilit na bëjnë të lumtur. Problemi lind kur e shenjtërojmë vendin tonë, diskriminojmë në emër të tij, përpiqemi t’ia imponojmë të tjerëve duke krijuar pretekste për të kryer mizori.

Çfarë do të thotë të duash tokën tënde? Në romanin tuaj çdo personazh ka idenë e tij mbi atdheun, që është e ndryshme nga të tjerët.

Mund të flas për veten. E dua qetësisht tokën time të lindjes, por askush nuk do të më shohë duke valëvitur një flamur ose duke kërkuar mure dhe kufij. Jeta është e shkurtër. Madje as toka ku varrosemi nuk është e jona.

Mireni i thotë bashkëshortit Joshian: “Nuk bëhet fjalë për njerëz të mirë ose të keqinj. Luhet jeta e një populli. Jemi abterzalë apo çfarë jemi?” Çfarë do të thotë të jesh patriot?

Në rastin e Mirenit, mamasë së një terroristi, patriotizmi nuk është gjë tjetër veçse justifikimi fanatik për veprimet e të birit, gjë që në sytë e saj e bën një djalë hero ndërsa viktimat e meritojnë atë që u ka ndodhur.

Sa herë flitet për Spanjën, të vjen në mendje lufta civile. A është ende një realitet? Është një imazh që mund të përdoret për Katalonjën apo rajonin bask?

Termi “luftë civile” më duket i ekzagjeruar. Nuk e quaj të vlefshëm për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në Spanjë kohët e fundit me Katalonjën. Fatmirësisht nuk ka trupa që janë bashkuar për lëvizjen, nuk ka dhunë. Në rajonin bask ka pasur terrorizëm, i cili përfundoi në vitin 2011 dhe prej atëherë baskët jetojnë mjaft të qetë.

Një nga temat në librin tuaj është dhuna që i dehumanizon njerëzit karshi një ideje totalitare. Ju tregoni për Joshe Marin në burg, për përçmimin e tij ndaj atyre që dorëzohen, për ata që heqin dorë nga lufta e armatosur. Keni hyrë thellë në kokën e një terroristi. Në Itali në vitet ’70 motivi publik i Brigadave të Kuqe ishte një ideologji. Për një terrorist të ISIS është radikalizmi fetar. Por a është vërtetë kështu? Apo në thelb të çdo gjëje qëndron vetëm urrejtja?

Sipas meje, urrejtja është vetëm një aspekt. Për dhunuesit, urrejtja është e domosdoshme sepse i ndihmon nga njëra anë, dhe nga ana tjetër i mbush me egërsi për të dehumanizuar viktimat. Por nuk duhet të harrojmë se në dhunën e organizuar ka edhe përllogaritje, metoda, arsye, objektiva dhe marrëveshje. Terrorizmi është shumë më racional nga sa e mendon shumica. Mund të ndodhë që xhihadisti që sakrifikon veten në turmë është i mbushur me urrejtje. Por gjithsesi, ata që rrinë në hije dhe përfitojnë nga radikalizmi i tij, e dinë shumë mirë se ç’po bëjnë.

Keni thënë se romani “Atdheu” ka lindur nga eksperienca juaj personale, nga takimi me ETA-n. A ka pasur një moment kur ju ka tërhequr lufta e armatosur dhe për çfarë arsyesh nuk aderuat në radhët e organizatës?

Nuk kam rënë kurrë në humnerën e luftës së armatosur dhe për këtë i jam mirënjohës djalit që kam qenë. Prindërit më kanë edukuar me përkujdesje. Në moshë të re, librat dhe arti hapën një horizont humanist përpara meje duke nxitur dëshirën time për të udhëtuar, për të njohur botë të tjera, për të përqafuar kultura të reja. Për më tepër jam rritur në një qytet që ruhet shumë nga presionet e grupeve ideologjike. Dhuna nuk ka qenë kurrë një opsion për mua. Ama ishte për djemtë e tjerë të shkollës dhe të lagjes sime.

Sa e përhapur ishte zona e simpatisë kundrejt ETA-s? Dhe sa ka mbetur sot nga ajo simpati?

Nuk mund të përjashtohet që kanë mbetur disa nostalgjikë të ETA-s, por janë shumë pak. Në fund, baskët kanë kuptuar se jashtë demokracisë nuk ka bashkëjetesë në paqe. Dhuna është zhdukur nga rrugët baske, por projekti që ata kërkuan ta imponojnë me forcë ende jo. Pesha elektorale e tyre është ende e konsiderueshme, mbi të gjitha në bashkitë e zonave rurale.

Suksesi i romanit tuaj në Spanjë në vitin 2016, një vit shumë i komplikuar kur uniteti kombëtar u vu shpesh herë në diskutim, tregon se ndjenja patriotike është bërë më e fortë apo më e dobët?

Patriotizmi spanjoll deri pak kohë më parë është tërhequr nga njolla e frankizmit. Ngjyrat e flamurit janë të njëjtat që nga koha e Frankos. Himni kombëtar i njëjti. Për shumë spanjollë është i lodhshëm identifikimi me ato simbole dhe me idenë e krenarisë spanjolle. Si pasojë e krizës katalanase, shumë po i tejkalojnë këto rezerva. Faktikisht në Spanjë po shihen sërish skena të këtij lloj patriotizmi.

Për t’u rikthyer tek “Atdheu”, Mario Vargas Llosa ka shkruar se romani juaj zhvillohet në vendin e të heshturve. Në veçanti, është don Serapio, prifti naconalist që i fton besimtarët të heshtin: “Zoti na ka mësuar misionin e krishterë të mbrojtjes së identitetit, të kulturës sonë, të gjuhës sonë”. A nuk të kujton mafien, me kërcënimet, frikën, shkrimet në mur, izolimin dhe më vonë heshtjen, omerta-n, vetminë në të cilën ndodhet familja e Çatos. Edhe mafia fshihet pas lidhjeve të gjakut dhe territorit.

Nuk jam edhe aq ekspert i funksionimit të mafies. Jam kufizuar në shkrimin e atyre që njoh: heshjen nga frika dhe bashkëpunimi, mbi mekanizmat e kontrollit të popullit bask dhe të rolit të atyre që kanë akses në ndërgjegjen e banorëve, si rasti i don Serapios, priftit të fshatit.

Një temë qendrore e “Atdheu” janë viktimat. “I gjithë trupi im është një plagë dhe nëse në fund më mbetet një kore do të jetë si ajo e një personi që është djegur plotësisht”, i thotë e veja e Çatos, Bitori, vajzës së saj Nerea që e shtyn drejt pajtimit. Në skenën ku përkujtohet Dita e Viktimave të godet klima e turpit, Shabieri që ulet në rresht të fundit dhe vëzhgon gjithë të pranishmit, derisa njeh motrën e tij. Kush janë dhe çfarë kërkojnë viktimat?

Për vite me radhë viktimat e terrorizmit kanë jetuar të braktisur. Të ishe viktimë, ishte një plagë. Quheshin fajtorë për fatin e tyre, “diçka do të kenë bërë”, thuhej, me bindjen se ETA vepronte vetëm në emër të popullit bask dhe populli, sipas disave, nuk gabon kurrë. Ekzistojnë artikuj të trishtë mbi funeralet e disa personave ku merrnin pjesë vetëm një grusht njerëzish. Njoh disa raste nënash që ua kanë fshehur fëmijëve të vegjël arsyen e vërtetë të vdekjes së babait. E bënin për t’i mbrojtur nga trauma të mundshme, për të mos i rritur në urrejtje apo që të mos tregoheshin me gisht në shkollë dhe në rrugë. Ju siguroj se çfarë tregoj në librin “Atdheu” nuk lëviz asnjë milimetër nga realiteti.

Ka një kapitull i titulluar: “Zbrazja e kujtesës”. “Ne viktimave do të na thonë se refuzojmë të shohim të ardhmen. Do të thonë se kërkojmë hakmarrje”, thonë Shabieri dhe Nerea. A ndihmon kujtesa në pajtim? Apo është pengesë?

Funksioni i memories është së pari ai i kujtimit të ngjarjeve. Supozohet se ata që mund të pajtohen kanë jetuar historinë që i ka vënë njëri kundër tjetrit dhe e mbajnë mend. Kujtesa është depozita e historisë, pra hapësira ku gjeneratat e ardhshme mund të shohin se çfarë ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe kush është përfshirë.

“Një ditë jo shumë të largët, pak do ta kujtojnë atë që ka ndodhur”, diskutojnë Shabieri dhe Nerea në faqet e fundit. “Mos u bëj gjakprishur, është ligji i jetës. Në fund fiton gjithmonë harresa.” “Po, por ne nuk duhet të bëhemi bashkëpunëtorët e saj”. Çfarë do të thotë të mos harrosh?

Në fund fiton gjithmonë harresa. Është ligji natyror i kohës. Për viktimën, harresa është si të heqësh edhe fotografinë e fundit. Nuk mbetet më asgjë. Është sikur gjithë sa ka ndodhur, nuk ka ndodhur kurrë. Mbyllet kështu çdo mundësi rregullimi dhe drejtësie. Dhe e gjithë kjo teksa, herë pas here, agresori dhe bashkëpunëtorët e tij ecin në heshtje për një shëtitje rrugëve.

Në faqen e fundit ka një përqafim, pa fjalë. Falja është një fjalë më e fortë se pajtimi. Ju besoni te falja, te mundësia për të falur dhe për t’u falur?

Vihem në vendin e djalit të cilit i kanë vrarë babain. Imagjinoj vrasësin që ka paguar me vite burg krimin e tij, të vijë tek unë, e duke më parë në sy, të më kërkojë falje. Besoj se do ta përqafoja dhe më pas do të ikja në shtëpi për të qarë. Jam i bindur se pasi të ikin lotët, do të ndihesha më mirë. Por nuk mund të pretendojmë nga të gjithë një sjellje të tillë, mbi të gjitha nga ata që kanë vuajtur shumë.

*Fernando Aramburu është shkrimtar dhe kritik letrar spanjoll, i cili prej vitit 1985 jeton dhe punon në GJermani si pedagog i gjuhës spanjolle. Pas romanit të tij “Atdheu” në vitin 2016, i botuar edhe në shqip, ka fituar disa çmime letrare si “Premio de la Critica”, çmimin europian “Strega” dhe çmimin letrar “Giuseppe Tomasi di Lampedusa”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *