Intervistë në gazetën MAPO mbi librin “Teoria e gjithçkaje”
“Teoria e gjithçkaje: Origjina dhe fati i universit”, libri më i famshëm i fizikanit Stephen Hawking ka ardhur në shqip këtë verë nga shtëpia botuese Minerva me përkthim të Erjon Ukës. Në një intervistë për gazetën MAPO, përkthyesi Uka, tregon si vendosi të marrë përsipër përkthimin e këtij libri dhe çfarë i tërheq miliona lexues prej tij. “Stephen Hawking shpesh akuzohet si “antikrishti” që në fund pranoi ekzistencën e Zotit. Unë nuk mund ta marr përsipër të analizoj të gjithë veprën e tij, por di të them se ai nuk e ka hedhur poshtë ekzistencën e një Krijuesi”- shprehet ai. Erjon Uka, pedagog pranë Universitetit Metropolitan Tirana, e ka provuar veten si përkthyes i nxitur nga ndikimi që kanë pasur në shekullin ku jetojmë tezat e Hawking.
Z. Uka, pse zgjodhe të sjellësh në shqip librin “Teoria e gjithçkaje”?
“Teoria e gjithçkaje: Origjina dhe fati i universit” është konceptuar si një cikël i shkurtër leksionesh, i cili kalon nga historia e universit te ndërtimi i një teorie unifikuese përmes së cilës mund të shpjegohet ekzistenca jonë. Megjithëse në fizikë vështirë të flasësh për “fatin”, Hawking në veprën e tij e përdor këtë term sepse së pari, përveçse fizikan, ishte një intelektual shumëdimensional që diti të sfidonte dhe të provokonte me teoritë e tij. Edhe në këtë libër, ai nuk e mohon ekzistencën hipotetike të Krijuesit, pra të Zotit, por veprimtarisë së tij bazuar në ligjet e fizikës i vendos disa “limite”. Hawking në librin “Teoria e gjithçkaje” flet shumë për vrimat e zeza dhe mbron tezën se universi nuk është një realitet statik, por vazhdimisht në lëvizje. Aktualisht është në zgjerim, në të ardhmen mund të tkurret sërish për t’u rikthyer në pikën fillestare.
Cila është dilema më e rëndësishme që ngre Hawking në këtë libër?
Një ndër çështjet më interesante është përshkrimi që i bën kohës. Pse ne kujtojmë të shkuarën dhe presim të ardhmen, në vend se të kujtojmë të ardhmen dhe të shkojmë drejt së shkuarës? Pse shohim filxhanin që bie nga tavolina, thyhet, ndahet në dhjetëra copa, dhe nuk shohim dhjetëra copa qeramike që puthiten me njëra-tjetrën dhe ngjiten në tavolinë në formën e filxhanit? A mund ta kthejmë kohën pas? Hawking e ka një përgjigje dhe kësaj i dedikon një kapitull të tërë ku shpjegon se përse pavarësisht ligjeve të fizikës, e shkuara është kaq e ndryshme nga e ardhmja. Ndër të tjera ai thotë se drejtimi i kohës nga e ardhmja, përkon me fazën aktuale të universit që është në zgjerim. Me shumë gjasa do të vijë dita që universi do të nisë tkurrjen dhe koha do të ndryshojë drejtimin, por pak shanse ka që ndonjë nga specia jonë të jetë ende gjallë.
Ku qëndron rëndësia e veprës së Stephen Hawking në shekullin që po jetojmë?
Forca e Stephen Hawking qëndron përtej veprës së tij. Zbulimet e tij kanë qenë fenomenale për shkencën, për kozmologjinë dhe pikërisht për ndërtimin e një teorie unifikuese për universin, por ai arriti të bëhej një shkencëtar “pop” pikërisht sepse sfidoi çdo pengesë: sëmundjen paralizuese, mungesën e të folurit, papunësinë në disa periudha apo edhe paragjykimet dhe etiketimet e shumta që i janë bërë. Mendja e tij ishte në univers, por besonte se shkenca është e vetmja shpresë për t’u dhënë zgjidhje problemeve në Tokë, dhe këtë gjë e provoi i pari në lëkurën e tij. Ka qenë një njeri shumë realist dhe me një autoironi brilante. Ja se çfarë shkruan në një prej librave: “…për kolegët e mi, jam një fizikan si gjithë të tjerët, por për publikun e gjerë ndoshta jam kthyer në shkencëtarin më të famshëm të botës. Kjo i detyrohet pjesërisht faktit se unë i korrespondoj stereotipit të gjeniut me aftësi të kufizuara. Nuk mund të fshihem pas parukes ose syzeve të trasha: karrigia me rrota më tradhton…” Një leksion përulësie!
Ai u përball dhe me shumë akuza gjatë punës së tij kryesisht ato që lidhen me besimin te krijuesi, sipas jush a ka një kundërshti të përjetshme mes shkencës dhe fesë?
Stephen Hawking shpesh akuzohet si “antikrishti” që në fund pranoi ekzistencën e Zotit. Unë nuk mund ta marr përsipër të analizoj të gjithë veprën e tij, por di të them se ai nuk e ka hedhur poshtë ekzistencën e një Krijuesi. Por edhe nëse përfundimet e tij shkencore kanë ndryshuar përgjatë viteve, besoj se kjo është një vlerë e shtuar për atë vetë dhe për shkencën. Pikërisht ky është dallimi me dogmën, shkenca evoluon dhe është e hapur ndaj gjetjeve të reja. Dogmat janë hermetike, të pandryshueshme dhe imponuese.
Si e gjete veten duke përkthyer një vepër të tillë? Sa e vështirë ishte përshtatja në shqip e këtij libri që tashmë është lexuar në dhjetëra gjuhë të tjera në botë?
Ndodhesha jashtë Shqipërisë kur më 14 mars 2018 Stephen Hawking ndërroi jetë dhe u habita për mirë se si të gjitha gazetat kryesore perëndimore të nesërmen i hapën faqet e tyre të para me këtë lajm. Më pas libraritë vunë në stendat e para veprën e Hawking, që nga librat e “kalibrit” shkencor deri tek autobiografia e tij apo librat me ilustrime. “Teoria e gjithçkaje” konsiderohet ndër librat e tij kryesore, prej nga u mor edhe titulli i filmit për jetën e tij. Megjithëse duhet thënë se filmi dhe libri, përveç titullit nuk kanë asgjë të përbashkët: Libri është një cikël i thjeshtuar dhe i përqendruar leksionesh që iu flet si studiuesve të shkencës ashtu edhe publikut të interesuar për teoritë fizike dhe kozmologjike, ndërsa filmi është një histori romantike e jetës së tij, për të cilin ka edhe dyshime mbi vërtetësinë e ngjarjeve.
A ka një traditë në botimet shqip për shkencën dhe botimet e librave nga shkencat ekzakte?
Librat e Hawking në shqip duhet të krijojnë traditën e botimeve nga shkencat ekzakte, që në Shqipëri ka shumë pak. Botohet normalisht shumë letërsi artistike, botohet filozofi, histori, sociologji, por nuk ka kolana të shkencave ekzakte. Në përgjithësi cilësia e botimeve po rritet, ka shtëpi botuese që janë kthyer në marka të mirëfillta dhe autorët e huaj vijnë shpejt në shqip. Në këtë linjë duhet të drejtohet vëmendja edhe nga këto lloj botimesh. Një prej gjërave që Hawking ka bërë më së miri është se teoritë e ndërlikuara astrofizike i ka shpjeguar thjesht në gjuhën e përditshme. Pikërisht në fund të këtij libri, thotë se nëse do të gjendet një teori e unifikuar e universit, detyra e saj parësore duhet të jetë që të shpjegohet thjesht dhe të kuptohet të paktën në linja të përgjithshme nga i gjithë publiku.
Botuar në gazetën Mapo dhe Mapo online më 12/08/2020.