Borges
Terrorizmi islamik nuk përbën kërcënimin që mendohej

Terrorizmi islamik nuk përbën kërcënimin që mendohej

Kjo është pjesë e një tradite shqetësuese amerikane për të ekzagjeruar kërcënimet me të cilat përballemi, nga Bashkimi Sovjetik te Saddam Hussein. Ndërsa rrëmojmë botën për armiq të rinj, le të mësojmë t’i japim përmasat e duhura kundërshtarëve tanë dhe të gjejmë një mënyrë për të vrapuar shpejt, por jo të frikësuar.

Nga Fareed Zakaria/ Fundjava e fillim majit shënoi 10 vjetorin e operacionit me emrin e koduar “Neptune Spear” që vrau Osama bin Laden. Është një mundësi për të reflektuar mbi gjendjen e terrorizmit islamik dhe Islamit radikal në përgjithësi. Dhe diagnoza fillestare është e qartë: Lëvizja është në gjendje të keqe.

Totali i vdekjeve të shkaktuara nga terrorizmi në të gjithë botën ka rënë me 59 përqind që nga kulmi i tyre në vitin 2014. Në Perëndim, kërcënimi aktual është më i ulët nga dhuna islamike sesa terrorizmi i ekstremit të djathtë, i cili është rritur me 250 përqind në të njëjtën periudhë dhe tani përbën 46 përqind të sulmeve dhe 82 përqind të vdekjeve.

Shumica e terrorizmit islamik sot ka tendencën të jetë lokal – Talebanët në Afganistan, Boko Haram në Nigeri apo al-Shabab në Bririn e Afrikës. Kjo është një përmbysje e madhe nga ditët e lavdisë së al-Qaedas, kur udhëheqësit e saj këmbëngulën se përqendrimi nuk duhet të jetë tek “armiku i afërt” (pra te regjimet lokale) por tek “armiku i largët” (Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimi).

Al-Qaeda është shpërbërë në një bandë milicësh në vende të ndryshme pa asnjë komandë qendrore ose ideologji. Shtetit Islamik po i ecin punët pak më mirë, me më shumë fonde, por gjithashtu ai kërkon vende të paqëndrueshme ose të paqeverisura, të tilla si Mozambiku, ku mund të veprojë. Ky fokusim në konfliktet lokale shkatërron çdo thirrje global. Myslimanët në botë nuk identifikohen me problemet lokale në Mozambik ose Somali.

Militantizmi islamik, i cili filloi të lulëzojë në vitet 1970, e rrënjosi thirrjen e tij në dështimin e diktaturave dhe monarkive të botës arabe për të zhvilluar shoqëritë e tyre. Islamikët i nxitën myslimanët të hiqnin dorë nga modernizimi i stilit perëndimor, i cili kishte çuar vetëm në varfëri dhe tirani dhe të përqafonin idenë e Islamit politik – rrugën për një shtet islamik.

Njerëz të tillë si bin Laden dhe bashkëpunëtori i tij Ayman al-Zaëahiri e kthyen Islamin politik në Islam militant duke argumentuar se kjo ishte mënyra e vetme për të rrëzuar diktaturat e botës arabe dhe më gjerë. Nxitën terrorizmin kundër atyre regjimeve, por më e rëndësishmja, nxitën terrorizmin kundër superfuqisë që i mbështeti, Shtetet e Bashkuara.

Në një ese në revistën “Religions”, Nader Hashemi thekson se joshja ndaj Islamit politik ishte gjithmonë ajo e një lëvizjeje të paprovuar opozitare, një alternativë mistike e realitetit të dobët që ekzistonte në tokën e botës myslimane. Por gjatë dekadave të fundit, partitë islamike hynë në procesin politik në Irak, Sudan, Tunizi, Egjipt, Gaza, Jordani dhe vende të tjera. “Një e vërtetë e përgjithshme është e pamohueshme”, shkruan Hashemi, “Prestigji popullor i Islamit politik është njollosur nga përvoja e tij në pushtetin shtetëror.”

Miliona myslimanë e kanë parë tani të veprojë Islamin politik dhe nuk u pëlqen. Ata ikën me turma nga kalifati i Shtetit Islamik. Protestuan kundër Vëllazërisë Myslimane në Egjipt. Panë partitë shiite në Irak të shndërrohen në struktura të korrupsionit të patronazhit. Dhe në Iran ata vazhdojnë të zhgënjehen thellë nga qeveria teokratike e atij vendi. Oksigjeni që ushqeu Islamin politik, i përbërë nga neveria ndaj regjimeve aktuale dhe besimi i verbër në premtimet e liderëve fetarë, është ndotur rëndë.

Çfarë mbetet tani janë problemet lokale, pakënaqësitë lokale që në të vërtetë nuk janë pjesë e një lëvizje të madhe globale. Kjo po ashtu është e vërtetë edhe në Perëndim. Ka ndodhur një valë sulmesh islamike në Francë, por të gjitha këto janë kryer nga individë që nuk ishin të njohur më parë për policinë dhe jo pjesë e ndonjë grupi të njohur xhihadist. Ata ishin vetë-radikalizuar, me shqetësimet e tyre personale që i çuan drejt një ideologjie radikale.

Në këtë kuptim, sulmet islamike në Europë kanë diçka të përbashkët me sulmet e ekstremit të djathtë në Shtetet e Bashkuara. Individët e tjetërsuar, duke u radikalizuar në internet, gjejnë ideologji që armatosin frikën dhe tërbimet e tyre. Amerika ka shumë më shumë të huaj të bardhë sesa myslimanë, prandaj aty ndryshon përbërja e terrorizmit.

Mësimet që duhen nxjerrë nga Islami, terrorizmi islamik dhe perspektivat e demokracisë në vendet islamike janë të ndërlikuara dhe të larmishme. Viti 2021 është gjithashtu 10 vjetori i Pranverës Arabe, kur miliona arabë u përpoqën të protestojnë paqësisht për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, një lëvizje që u ngrit përsëri gjatë viteve të fundit në Algjeri, Sudan, Liban dhe Irak. Megjithëse këto përpjekje suksesin e kanë pasur të kufizuar, ato tregojnë fuqimisht se arabët dhe myslimanët duan liri dhe demokraci shumë më tepër sesa mund të ofrojë një kalifat.

Për Amerikën, ka një mësim të madh: Të qëndrojë e qetë. Në muajt pas 11 shtatorit, ne u kapëm nga paniku, duke sakrifikuar liritë shtëpiake dhe duke luftuar jashtë vendit, të tmerruar se do të mundeshim nga ky armik i ri. Kjo është pjesë e një tradite shqetësuese amerikane për të ekzagjeruar kërcënimet me të cilat përballemi, nga Bashkimi Sovjetik te Saddam Hussein. Ndërsa rrëmojmë botën për armiq të rinj, le të mësojmë t’i japim përmasat e duhura kundërshtarëve tanë dhe të gjejmë një mënyrë për të vrapuar shpejt, por jo të frikësuar.

*Fareed Zakaria është drejtues i emisionit “Fareed Zakaria GPS” në CNN, kontribuon çdo javë për “The Washington Post”, kontribues në “The Atlantic” dhe është ndër autorët më të njohur në botë në librat socio-politikë. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Publikuar në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.