Montanelli
Tronditja e gjatë njëzetë vjeçare

Tronditja e gjatë njëzetë vjeçare

Ajo ditë shtatori e vitit 2001 ndryshoi shumë gjëra. Në kuptimin më të gjerë kulturor ndryshoi perceptimin amerikan në botë, imazhin që bota kishte për Amerikën. Efekti më i madh është mënyra e shumëfishtë në të cilën që prej asaj kohe idetë, ose më mirë të thuhet mitet dhe mitologjia për shkëlqimin e padiskutueshëm amerikan, u shkatërruan.

Jeremy Adelman, i lindur në Kanada dhe i diplomuar në Oxford, është një prej historianëve më të ndjekur dhe më interesantë të Akademisë Amerikane. Që prej vitit 1992 në katedrën e historisë në Princeton, është edhe drejtor i Global History Lab.

Mit i çmontuar edhe në Shtetet e Bashkuara?
Këtu reziton më shumë se jashtë, por është përhapur ndjesia e një ndryshimi epokal. Duke jetuar në SHBA e perceptoj. Nuk bëhet fjalë vetëm për 11 shtatorin, por ishin një sërë gjërash që sollën fundin e 20 viteve eufori që kishte të bënte me hegjemoninë amerikane pas Luftës së Ftohtë, liberalizmit, demokracisë, tregut të lirë dhe integrimit global.

Për shembull?
Nuk është rastësi që viti 2001 është edhe viti kur Kina hyri në Organizatën Botërore të Tregtisë, sigurisht një proces i negociuar më parë që në administratën Clinton. Në Shtetet e Bashkuara ekzistonte një konsensus i madh, gjë që sot nuk është më. Pas njëzetë vitesh u dekompozua ajo që mendohej atëherë, pra që ekzistonte një “mondializim” rreth ndriçimit të liberalizmit. Tronditja e 11 shtatorit ishte njëra prej ngjarjeve. Disa janë tronditje të shpejta, disa të tjera janë të ngadalëta si ndryshimet klimatike apo rivaliteti me Kinën.

Liberalizmi ka marrë fund?
Jo, por idea për Amerikën e lidhur me veten si garantuese e hegjemonisë globale dhe mbrojtëse e idealeve botërore ka mbaruar. Natyrisht ky ishte një imazh që amerikanët ishin shumë të lumtur ta projektonin mbi veten, e që lidhej po ashtu me shumë njerëz në çdo cep të botës. Të shumtë janë ata që e kanë luajtur këtë lojë, e cila tani ka pësuar një goditje të rëndë.

Çfarë mbani mend nga 11 shtatori?
Jetoja në New Jersey, njihja mjaftueshëm njerëz që punonin apo jetonin në zonë. Ishte një komunitet nga i cili vdiqën shumë njerëz, edhe prindër të fëmijëve që shkonin në shkollë me fëmijët e mi. Nuk njihja personalisht asnjë që vdiq, por mbaj mend shumë mirë tronditjen dhe hutimin. Ajo ditë kaloi nëpër disa faza. E para ishte që po ndodhte diçka të cilën as nuk e kisha imagjinuar. Ishte jashtë spektrit tim të mendimeve. Unë nuk jam amerikan, jam kanadez, edhe pse jetoj dhe punoj këtu, por duke gjykuar nga telefonatat dhe email-et që nisa të merrja atë ditë nga familja ime në Kanada dhe nga miqtë në Amerikën Latine, ishte vërtetë një tronditje globale. Në New Jersey pati një rezonancë lokale, sepse jetohej nën hijen e Kullave Binjake.

Ushtarët amerikanë e lanë Afganistanin njëzetë vite më pas, duke mbyllur “luftën e pafundme”. Nuk ishte tamam sukses?
Është një pyetje e vështirë, është shumë shpejt, nuk e dimë ende. Është mjaft e qartë që talebanët kanë marrë kontrollin e Afganistanin. Nuk janë të njëjtët që ishin në pushtet në vitin 2001, tani ata negociojnë. Sot janë aktorë globale në një mënyrë për të cilën nuk ishin të aftë 20 vite më parë. Varet nga përkufizimi personal i suksesit. Unë nuk do ta quaja sukses sepse nuk besoj se luftëra si këto kanë tendencën të përmbyllen me sukses. Kështu që nuk jam i befasuar, i zhgënjyer apo i magjepsur në mënyrën që si mendoj se janë shumë amerikanë: se kjo ishte një luftë e padobishme.

Atëherë të gjithë, ose pothuajse të gjithë, ishin dakord që ta bënin.
E vërtetë, por mendoj se disa gjëra ishin mjaftueshëm të parashikueshme. Ka pasur edhe raste të tjera të luftërave të gjata nga SHBA, nga këndvështrimi amerikano-jugor për shembull, raste pushtimesh që kanë zgjatur edhe për breza të tërë. Haiti është një prej këtyre, Nicaragua është një tjetër rast ku marinsat ishin aty, por nuk ishin shumë të angazhuar për luftën sesa të luanin rolin e shtetit. Ekziston një paralelizëm i caktuar dhe kjo është arsyeja pse qeveria afgane tani ka një dilemë. Shtetet e Bashkuara kanë siguruar një sasi të caktuar të atyre që ne i konsiderojmë fuqitë themelore të një shteti modern, i cili zotëron një monopol mbi përdorimin legjitim të dhunës kolektive. Sapo kjo tërhiqet, konkurrenca për atë që e kontrollon dhunën rritet. Kështu është shndërruar tani lufta në Afganistan. Shtetet e Bashkuara e kanë kryer këtë funksion, veçanërisht në hemisferën perëndimore, ndërsa përvoja afgane për amerikanët ishte “e para”, sepse nuk ishte bërë kurrë në një vend kaq të largët.

Images were suddenly powerless': how the arts responded to 9/11 | September  11 2001 | The Guardian

20 vite pas vitit 2001, terrorizmi mbetet ende një kërcënim real brenda Shteteve të Bashkuara?
Varet se cilat janë kërcënimet e tjera potenciale. Terrorizmi në vend nuk është në asnjë ekran televiziv në këtë moment. Mendoj se ka kërcënime të tjera që perceptohen, kërcënimet që digjen shpejt dhe të tjera më ngadalë. Fillimisht Shtetet e Bashkuara ishin të lumtura ta bashkëndanin planetin me Kinën sepse ishte një klient, sepse ekportonte produkte plastike dhe mallra me çmim të mirë. Ishin të gatshëm të sakrifikonin edhe shtresën punëtore amerikane vetëm për të pasur lodra dhe këmisha me çmime më konkurruese. Por kur nisi të konkurronte në industrinë e metaleve të rënda, aty Kina u perceptua si rival dhe u kthye në kërcënim. Terrorizmi u vu në plan të dytë, por nuk duhet shumë përpjekje për ta rindezur sërish. Duhet thënë se politikat amerikane anti-terrorizëm kanë qenë efikase. Unë mendoj se midis mbikëqyrjes së sistemit që u është imponuar civilëve dhe përgatitjes ushtarake, sigurisht që rreziku i terrorizmit është zvogëluar

Përballja SHBA-Kinë mund të sjellë një lloj të re Lufte të Ftohtë?
Mundet. Bëhet fjalë për një kombinim të atyre që quhen “hard power” dhe “soft power”. Qeveria kineze sapo firmosi një marrëveshje me Victor Orban për të ndërtuar një kampus universitar në qendër të Budapestit, po ndërton një bibliotekë të re kombëtare në San Salvador, pikërisht në zemër të El Salvador, që për pjesën më të madhe të epokës moderne ka qenë një kukull e Shteteve të Bashkuara. Sidoqoftë, ekziston një ndryshim me rivalitetin e vjetër midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, i cili u bë global me fazën e dekolonizimit në vitet 1960 dhe 1970.

Cili?
Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë të ndërvarura, në një mënyrë që Shtetet e Bashkuara ose Perëndimi dhe Bashkimi Sovjetik nuk kanë qenë kurrë. Rivaliteti që pamë në periudhën e Luftës së Ftohtë, të themi nga viti 1917 deri në 1989, ishte mes dy blloqesh pushteti relativisht të vetë-mjaftueshëm. Ky nuk është më rasti. Tani ka sisteme ndërvarësie. Ne kemi mijëra e mijëra studentë kinezë që vijnë në Shtetet e Bashkuara çdo ditë. Sasia e parave që qarkullojnë, tregtia, një nga arsyet pse zinxhirët e furnizimit lëvizin kaq ngadalë tani, është sepse këto sisteme janë të ndërvarura. Është një ndryshim i thellë. Ajo që shohim sot është konkurrenca brenda ndërvarësisë. Ka modele të tjera historike, në të cilat ne kemi pasur blloqe energjie që kanë qenë rivalë brenda ndërvarësisë.

Përpara Luftës së Ftohtë?
E saktë. Këtë kemi parë përpara vitit 1914, kur perandoritë e mëdha ishin në konkurrencë mes njëra-tjetrës por njëkohësisht të lidhura. Mendoj se analogjia e asaj që ndodhi para 1914 është ndoshta më e mirë se Lufta e Ftohtë. Ka vlera, sisteme dhe parime që janë në rrezik. Ne nuk i quajmë më ideologji, sepse Kina nuk pohon një ide. Nuk e shpall komunizmin. Nuk ka rëndësi se kush është presidenti në El Salvador, cila është linja e tij politike përderisa ai është i gatshëm të jetë transaksional me interesat kombëtare kineze. Unë mendoj se ne duhet të kërkojmë metafora të ndryshme historike për të shpjeguar dilemën Kinë-SHBA

Sa e ndryshme është bota sot?
Nuk ka dyshim se para 11 Shtatorit, amerikanët ishin shumë të lumtur ashtu si edhe bota në përgjithësi, e lumtur dhe naive për sigurinë, kërcënimet për shëndetin, klimën. Në një kohë që bëheshim gjithnjë e më të varur nga qymyri, nuk menduam për rreziqet që ne vetë po krijonim. 11 shtatori krijoi menjëherë kërcënimin e sigurisë, por pati valë të tjera kërcënimesh për sigurinë. Kur mendojmë për sigurinë, ne mendojmë për sigurinë ushqimore, sigurinë e energjisë, sigurinë e klimës, zjarret në të gjithë botën. Covid-19 është vetëm më i fundit prej tyre. Amerikanët ishin shumë të gatshëm të sakrifikonin disa liri kur bëhej fjalë për çështje të përcaktuara ushtarakisht, por janë më pak të prirur për gjërat e tjera.

Për të rinjtë amerikanë sot, që kanë lindur pas 11 shtatorit, cilat janë disa nga temat e rëndësishme?
Për ta, terrorizmi duhet të studiohet në librat e historisë. Shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me drejtësinë raciale, drejtësinë ekonomike, ndryshimet klimatike, por të gjitha të shikuara nga një perspektivë e brendshme në Shtetet e Bashkuara. Efekti “i akullt” i 20 viteve të fundit ka qenë ri-nacionalizimi i imagjinatës amerikane dhe de-nacionalizimi i Shteteve të Bashkuara. Një e dhënë është se të rinjtë nuk janë më të interesuar të studiojnë gjuhë të huaja. Që nga viti 1945 përqindja e studentëve universitarë që studiojnë frëngjisht, italisht, kinezisht, arabisht nuk ka qenë kaq e ulët. Unë mendoj se ky është një nga efektet afatgjata të 11 Shtatorit, të rinjtë amerikanë e shohin botën si të rrezikshme, të pasigurt, kërcënuese. Dhe unë mendoj se Donald Trump e kuptoi këtë aspekt.

*Jeremy Adelman është drejtor i Global History Lab dhe profesor në Princeton University. Më parë ka shërbyer si Drejtor i Këshillimit për Studimet Ndërkombëtare dhe Kërkimin Shkencor, Drejtor i Programeve të Studimit Latine dhe drejtues i departamentit të historisë në Princeton. Intervista për Alberto Flores d’Arcais u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *