Montanelli
Asnjëherë nuk duhet çuar dëm një krizë e mirë

Asnjëherë nuk duhet çuar dëm një krizë e mirë

Winston Churchill e kishte zakon të thoshte se asnjëherë nuk duhet çuar dëm një krizë e mirë dhe Ian Bremmer e ka zbatuar me përpikmëri. Libri i tij i fundit titullohet “Pushteti i krizës”. Ajo që themeluesi i “Euroasia” nuk priste, ishte t’i shpërthente në duar ngjarja tronditëse me fuqinë për të revolucionarizuar ekulibrat gjeopolitikë globalë, nën formën e “gabimit më të madh që ka parë ky brez”, kur Putini pushtoi Ukrainën.

Ishte muaji shkurt. Ju po përgatiteshit për botimin e librit “Fuqia e krizës”, teksa tanket moskovite sulmonin Kievin. Është kjo kriza që mund të ndryshojë botën?
Po. Libri im do të duhej të dilte më 26 shkurt dhe Rusia pushtoi Ukrainën më 24. M’u desh të anuloja çdo gjë, me qëllim që të shtoja disa faqe, por në fakt po ndodhnin pikërisht ato gjëra për të cilat flisja. Sa presidentë amerikanë janë përpjekur të bindin europianët për të shpenzuar më shumë tek mbrojtja, dhe sa herë kanë dështuar? Ja ku shpërthen kjo krizë dhe kancelari gjerman Scholz mban ndoshta fjalimin më të rëndësishëm që prej rënies së Murit të Berlinit, me angazhimin për të rritur në mënyrë drastike financimet për ushtrinë. NATO zgjerohet me Suedinë dhe Finlandën, ndërsa në takimin e Madridit merr pjesë edhe Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re. Në këtë mënyrë, Aleanca kaloi nga “vdekja cerebrale” në rijetëzimin e misionit të saj të fuqishëm. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një “pivot” drejt Europës, sepse janë Shtetet e Bashkuara, aleatët europianë dhe ata aziatikë që e kuptojnë se duhet të punojnë së bashku mbi këtë emergjencë, si të ishte duke lindur në NATO në rang global, pasi kërcënimi rus bie po aq mbi Tajvanin apo pragun e tyre të shtëpisë. E trishtë që u desh një krizë kaq dramatike, u desh të vuanin kaq shumë ukrainasit, në një kohë që Putini i kishte treguar qëllimet e tij kur sulmoi Gjeorgjinë në vitin 2008 dhe Krimenë në vitin 2014. Atëmot nuk u morën masa serioze, dhe ai mendoi se do të kishte sukses nëse sulmonte Ukrainën me forca masive. Gaboi, duke kryer gabimin më të madh logjik që është parë në brezin tonë.

Si mund të ndalohet përpjekja e tij për të përmbysur rendin botëror bazuar në rregullat e veta?
Në afatshkurtër ka shumë pak gjasa që të humbasë në Ukrainë, sepse ka një avantazh të ndjeshëm strategjik, por në skenën globale po humbet tashmë. Për herë të parë një ekonomi e G20 është izoluar me forcë nga G7: ngrirje e aseteve, largim i investimeve ndërkombëtare, zgjerim i NATO-s që kalon nga 40,000 ushtarë të mobilizuar në 300,000 përballë kufirit me Rusinë. Nga çdo këndvështrim ekonomik, diplomatik e gjeostrategjik qoftë, Rusia është humbësja e madhe, ndërsa Perëndimi po rijetëzon institucionet e nevojshme për ta ndalur.

Por Putin ka në dorë furnizimet me energji dhe me ushqim.
Po, por nuk do t’i mjaftojë kjo në afatgjatë. Ai ka bërë gabim që nuk i ka diversifikuar prodhimet, në një kohë që bota po shkon drejt burimeve të rinovueshme për shkak të krizës klimatike, që do të kërkojë një Plan të gjelbër Marshall ku do të ketë gjithnjë e më pak kërkesë për produktet e tij. Rusia kishte një sektor prodhues, në veçanti sa i takon mbrojtjes, ku ishte eksportuesja e dytë e armëve pas SHBA. Do të mund të shesë edhe për ca kohë naftë, gaz dhe ushqim, por çdo gjë që ka të bëjë me prodhimin do t’i dështojë sepse nuk zotëron më gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë thelbësore. Po humbet talentet, me të paktën 300,000 të rinj rusë që kanë ikur dhe me shumë mundësi nuk do të kthehen më kurrë. Këtë vit, ekonomia e Moskës do të tkurret mes 10 dhe 15%, ndërsa në të ardhmen do të shkojë gjithmonë e më keq. Ashtu si Irani, do të jetë një katastrofë. Putini bëri gabimin që do t’i peshojë si barrë e rëndë një brezi të tërë rusësh.

Çfarë duhet të bëjnë perëndimorët?
Europianët e kanë kuptuar gabimin strategjik, që u bënë kaq të varur nga Rusia. Mendonin se Lufta e Ftohtë kishte mbaruar dhe do të korrnin vetëm dividentin e paqes, pa pasur nevojë të investonin në mirëmbajtjen e saj. Ukraina është kandidate për në BE dhe çështja e saj do të kthehet në një temë kryesore në Europë. Tani bëhet fjalë nëse nga pësimi do të mësojnë edhe Shtetet e Bashkuara duke e aplikuar globalisht, apo jo.

A nevojiten institucione të reja?
Kam folur me shumë liderë aziatikë dhe janë të bindur se i duhet dhënë një përgjigje e përbashkuar krizës ukrainase sepse u takon të gjithëve: shtet i së drejtës, sovranitet, integritet territorial. Të gjitha këto duhen mbrojtur. Ndoshta do duhet krijuar një arkitekturë e re për sigurinë globale që përfshin NATO-n, G7 dhe të gjitha demokracitë e përparuara industriale të botës.

Ama Kina mbështet Rusinë.
Jam optimist, por edhe realist: kjo është një prej atyre çështjeve që s’mund të zgjidhet tani shpejt. Kina nuk i beson Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Mund t’ju përmend disa gjëra që duhen bërë në mënyrë që të funksionojë kjo marrëdhënie, por e di që s’do të ndodhin.

Do të arrijnë Kina dhe Rusia të krijojnë një koalicion të vendeve në zhvillim, armiqësore me perëndimin, ose alternativë ndaj tij?
Po e tentojnë tashmë, por kanë shumë probleme të rënda së brendshmi dhe nuk besoj se vendet e tyre do të pranojnë të bëjnë zgjedhje si në kohën e Luftës së Ftohtë. Mjaft të shohim Indinë, që është një shtet i BRICS, por bën pjesë edhe në QUAD por jo në Rrugën e Mëndafshit. Aktualisht nuk po lind një botë bipolare dhe arsyeja është se këto vende duan të qëndrojnë të lira dhe të punojnë me të gjithë.

Ju shkruani në libër se një arsye e fortë e krizës është mosfunksionimi i sistemit politik amerikan dhe pas vendimeve të fundit të Gjykatës së Lartë, vendi duket edhe më i përçarë mbi “vlerat e panegociueshme”.
Për fat të keq mësuam se një krizë siç ishte sulmi ndaj Kongresit më 6 janar, nuk ishte e mjaftueshme për të vënë në lëvizje amerikanët dhe për të ndryshuar dinamikën e sjelljes. Republikanët ende refuzojnë ta njohin. Besoj se duhet të vijë një krizë edhe më e rëndësishme, ndoshta do ta mishërojnë presidencialet e vitit 2024. Po shkojmë drejt një klime të delegjitimimit të institucioneve dhe të zgjedhjeve, e ndoshta edhe drejt një dhune më të madhe politike.

Do të jetë gati bota përballë një pandemie të ardhshme?
As Covid nuk ishte një krizë mjaftueshëm e madhe për të na bindur mbi nevojën e bashkëpunimit në përballimin e këtyre kërcënimeve. U politizua, shumë vende vepruan në kokë të tyre, mbi të gjitha sa i përket politikave të vaksinimit dhe izolimit. Për t’u përgatitur për tjetrën, nevojitet një sistem global.

A është kërcënim zhvillimi i teknologjisë?
Ofron mundësi të mëdha por edhe kërcënime shkatërruese, nga armët kibernetike te kontrolli i qenieve njerëzore. Ne nuk kemi një sistem për mospërhapjen e saj siç kemi për armët bërthamore, apo një organizatë për menaxhimin e të dhënave. Këto duhet të krijohen.

Kur Churchill thoshte se nuk duhet shpërdoruar kriza, i referohej Jaltës. Do të duhet Lufta e Tretë Botërore për të rivendosur një rend global të bazuar mbi rregulla të pranuara dhe bashkëpunim?
Mendoj se jo. Nevojiten kriza jo kaq të vogla sa askush nuk merr mundimin të veprojë, por jo aq të mëdha sa për të shkatërruar sistemin. Ashtu si në përrallën e kaçurelave të arta, njerëzimi duhet të gjejë mjetin e duhur për t’u përgjigjur në mënyrën e përshtatshme dhe të krijojë një botë më të qëndrueshme.

*Ian Bremmer është ndër politologët më të rëndësishëm bashkëkohorë, njohës shumë i mirë i rendit botëror dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Në shqip janë botuar disa nga librat e tij si “Kurba J”, “Superfuqia”, “Fundi i tregut të lirë”, “Dështimi i globalizimit”. Intervista u përkthye në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *