Blog
Eksperienca dhe besimi, mësime nga Lindja e Largët

Eksperienca dhe besimi, mësime nga Lindja e Largët

Nga Erjon Uka/ Ka një grup pyetjesh që pothuajse asnjëherë nuk shmangen në bisedat që zhvillohen për koronavirusin: Si shpjegohet që ende nuk dihet çfarë është? Pse nuk ka ende një vaksinë? Si është e mundur që ende nuk është bërë identikiti i tij?

Dhe fatkeqësisht, ata që ashtu si unë nuk besojnë se ky është një virus që hidhet me pluhur nga helikopterët natën, që bën pjesë në një komplot afatgjatë botëror për të ulur numrin e popullsisë globale, që është stisur për të vënë nën kontroll jetët e njerëzve apo se vaksina mbahet peng nga zgjedhjet amerikane, nuk e kanë të lehtë të japin përgjigje kaq të thjeshta.
Supozimi që qëndron në pyetjet e kësaj natyre, qoftë i shprehur hapur apo edhe i pavullnetshëm, është se njerëzit kanë çdo gjë në kontroll dhe shkenca duhet të ketë përgjigje për çdo gjë. Një pjesë e këtij supozimi është i vërtetë, sepse po, njerëzit kanë arritur pikën më të lartë të dijeve, kontrollit dhe eksplorimit shkencor sesa kurrë më parë në histori, por ky deduktim nuk është i barasvlefshëm me pohimin se shkencëtarët kanë përgjigje për çdo pyetje dhe njerëzit kanë në kontroll gjithë pjesën tjetër të biosferës.

Dy lexime të shkurtra dje nga dy njerëz të shkencave ekzakte, e përforcojnë këtë mendim. I pari, matematikani dhe fizikani John Barrow i ndarë nga jeta në muajin shtator për shkak të kancerit, pak përpara se të ndërronte jetë regjistroi një mesazh të fundit, ku ndër të tjera pranonte se ligjet e natyrës janë të thjeshta, të sakta dhe simetrike, por efektet e tyre janë çuditërisht të ndërlikuara dhe të palimituara për pasojat që mund të shkaktojnë. Prandaj është kaq i vështirë deshifrimi i botës përreth nesh, është e vështirë të matesh me biologjinë, psikologjinë apo gjenetikën.

I dyti, Carlo Rovelli, fizikani më i famshëm italian që prej kohësh jeton në Francë, i cili ashtu si kolegët e tij një pjesë të frymëzimit nuk ka si të mos e marrë nga Galileu, thoshte në një intervistë se shkenca ecën përpara përmes provave dhe gabimeve. Ajo përfaqësohet nga njohuritë që kemi aktualisht. “Nëse do të dinim gjithçka, do të dinim me siguri nëse do të bjerë shi pas një jave. Nuk e dimë. Është prej të çmendurish të mos pranojmë limitet e dijes, apo të fajësojmë ndonjë shkencëtar përse nuk di gjithçka. Nuk duhet ta ngatërrojmë shkencën me fytyrat e disa shkencëtarëve që shkojnë në studio televizive apo japin intervista duke shprehur opinione politike mbi argumente të nxehta. Shkenca funksionon përmes diskutimit dhe ndërtimit të konsensusit përmes diskutimit”, thoshte Rovelli.

Dhe është e vërtetë. Për zgjidhjen e situatës, derisa të kemi vaksinën, ka alternativa shkencore apo politike. Karantina, alternativa klasike që na vjen nga Mesjeta, është një zgjidhje. Por a do të sakrifikojmë lirinë, shëndetin mendor, ekonominë në këmbim të shëndetin fizik? Kjo është një zgjidhje politike, e gjithmonë politika është e ndryshme duke ndarë e përçarë.

Një ndër esetë më të mira të shkruara gjatë asaj që tani quhet “vala e parë” e pandemisë është ajo e Ivan Krastev, politolog bullgar, me disa teza të thjeshta dhe të qarta. Me ftohtësinë e një vëzhguesi larg palëve dhe emocioneve, ai hidhte poshtë lidhjen mes llojit të udhëheqjes politike dhe rezultateve të menaxhimit të krizës. Qeveri autoritare si ajo e Iranit dështuan, autokraci si Singapori patën sukses, demokracitë si SHBA dhe Italia u shpartalluan, ndërsa Gjermania, Korea e Jugut dhe Tajvani e administruan shumë mirë.

Pra cili ishte çelësi i suksesit? Eksperienca e disa vendeve në menaxhimin e krizave të ngjashme epidemike, si Sars në vitet 2002-2003, përkthyer në ligje dhe protokolle të mirëmenduara dhe besimi i qytetarëve te qeveritë e vendeve të tyre. “Suksesi i një qeverie në kontrollin shoqëror varet më shumë nga pajtimi vullnetar sesa nga shtrëngimi i imponuar”, shkruante Krastev pak muaj më parë.

Edhe rezultatet e “valës së dytë”, ku Lindja e largët, me eksperiencën e dy dekadave më parë dhe me besimin e qytetarëve te autoritetet, tregojnë se po e menaxhon thuajse në mënyrë të përsosur këtë krizë.

Sipas një studimi të Universitetit të Cambridge, mënyra më eficente e mbrojtjes nga Covid vjen nga Tajvani, me 24 milionë banorë, por me vetëm 535 të infektuar dhe vetëm 7 viktima. Kjo falë një politike “agresive” të gjurmimit, të testimeve, të vendosjes së maskave dhe distancimit social, të karantinimit dhe gjurmimit. Po ashtu Korea e Jugut “i falet” strukturave eficente për të kryer tamponët, teknologjisë së avancuar, gjurmimit elektronik dhe respektit të qytetarëve ndaj autoriteteve, me mbi 50 milionë banorë, në fillim të muajit nëntor numëron rreth 27 mijë infektime dhe 477 humbje jete. Në Singapor, gati gjysma e popullsisë ka shkarkuar edhe aplikacionin e gjurmimit.

Për aq sa mund të besohet parashikimi në këto çaste, FMN thotë se pas rënies ekonomike të vitit 2020 do të kemi një ripërtëritje të shpejtë në vazhdim falë fleksibilitetit të treguar nga sektorë të ndryshëm të prodhimit. Por këtë dimër, sistemet shëndetësore po vihen sërish në presion të fortë nga numri i lartë i infektimeve, ndërsa rraskapitja e mjekëve dhe infermierëve është më e madhe se më parë.

Mesa duket dilema “siguri apo liri” e artikuluar aq mirë nga shkrimtari spanjoll Javier Cercas, është ende relevante edhe, teksa duhet të jemi të vetëdijshëm për zgjidhjet politike dhe shkencore që na ofrohen, në pritje të vaksinës.

Botuar fillimisht në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *