Borges
Ka diçka që nuk e harroj kurrë

Ka diçka që nuk e harroj kurrë

Çfarë është kujtesa historike dhe ku mund të na çojë humbja e saj? A është me të vërtetë faji i medias, dhe përse kujtesa e tepruar mund të jetë e dëmshme? “Kur ndonjë akt censure përpiqet të zhdukë një pjesë të kujtesës së një shoqërie, kjo shoqëri pëson krizë identiteti”, thoshte ndër të tjera Umberto Eco duke folur për memorien kolektive, filtrimin e informacionit, internetin dhe sfidat e së ardhmes. Leksioni i fundit në sallën e Kombeve të Bashkuara.

Nga Umberto Eco/ Media është e interesuar pikë së pari për të tashmen. Ndodh gjithnjë e më shpesh që në Itali të rinjtë (duke përfshirë edhe shumë studentë) kur pyeten për fakte që kanë të bëjnë për shembull me Luftën e Dytë Botërore nuk dinë si t’i përshkruajnë personazhe si Badoglio, Churchill ose Roosevelt. Madje ka edhe nga ata që mendojnë se Aldo Moro ishte kryetari i Brigadave të Kuqe. Më e rëndë akoma, disa nuk mund të thonë asgjë për ngjarje të ndodhura dhjetë vite para lindjes së tyre. Për fat të keq, kjo humbje e kujtesës po vihet re edhe në radhët e eruditëve.

Nëse shoh një teskt amerikan të botuar sot mbi një temë specifike, shoh se bibliografia nuk shkon përtej viteve tetëdhjetë, gjë që mund të jetë tërësisht e justifikueshme për shkencat në zhvillim e sipër, por është e çuditshme nëse këto tekste i përkasin shkencave humane. Mbaj mend se kam lexuar një libër filozofie ku ndër të tjera përmendej një ide e Kantit dhe në fund të faqes autori të ftonte “të lexoje Brown 1982”: Tekstet origjinale të Kantit qenkan konsideruar shumë të vjetra për t’u përfshirë në libër.

Kujtoj tani një bisedë me një mikun tim filozof, i cili më pyeti se përse duhet të studiojmë logjikën e stoikëve, nëse logjika formale ka bërë progres gjigant nga koha e tyre deri në ditët tona, ndaj është më efikase të studiojmë manuale bashkëkohore se sa rindërtime historike. Iu përgjigja se: 1) Nëse për çfarëdolloj arsyeje Stoikët kanë gabuar, është e rëndësishme për ne të njohim edhe historinë e gabimeve të shkuara për të mos i përsëritur. Për të kuptuar Kopernikun është e rëndësishme të dimë se përse Tolomeu e kishte gabim, duke qenë se Koperniku punën e tij nuk e nisi nga zero por e nisi duke kritikuar Tolomeun. 2) Mos-injorimi i historisë së filozofisë antike, ose të çdo lloj disipline tjetër, mund të na ndihmojë të mos e shpikim për herë të dytë rrotën. Sot shumë studiues harxhojnë kohë pa fund për të formuluar ide dhe koncepte që ekzistojnë prej shekujsh. 3) Shprehja e vjetër historia magistra vitae, historia është mësuesja e jetës, është më serioze nga sa e mendojmë sepse nëse Hitleri do të lexonte për Napoleonin (ose të paktën “Lufta dhe Paqja” të Tolstojit), do të kuptonte se është shumë e vështirë të arrish Moskën përpara ardhjes së dimrit. Ashtu sikundër nëse Bushi do të lexonte historitë e tentativave angleze dhe ruse për të pushtuar Afganistanin në shekullin XIX do të kuptonte se ai vend kishte diçka specifike si nga pikëpamja gjeografike si nga ajo sociale që është e vështirë ta vësh nën fre.

Problemi është që asnjë civilizim (në sensin antropologjik të fjalës, i kuptuar si sistem idesh shkencore dhe artistike, mitesh, fesh, vlerash dhe zakonesh të përditshme) nuk mund të mbijetojë pa memorien kolektive. Shoqëritë gjithnjë i kanë besuar kujtesës kolektive për të ruajtur identitetin e tyre, duke nisur që nga ai plaku që nën pemë tregon histori mbi atentatet e luftës. Kur ndonjë akt censure përpiqet të zhdukë një pjesë të kujtesës së një shoqërie, kjo shoqëri pëson krizë identiteti.

Por më lejoni tani të marr në konsideratë anën e kundërt të temës sonë, pra dëmet që mund të sjellë kujtesa e tepruar. Të mbash mend shumë, mund të përfundojë në tragjedi. Jorge Luis Borges na ka treguar historinë e “Funes el Memorioso”,  që ia vlen të lexohet për të kuptuar më shumë për këtë temë. Nëse dikush mendon sot se World Wide Web mund të kontribuojë për të forcuar kujtesën tonë për ngjarje të së shkuarës, duhet të dijë se World Wide Web do të jetë, në mos qoftë që tani, si truri i Funes te tregimi i Borgesit. Me ardhjen e web-it, të gjitha dijet dhe informacionet, edhe ato më të parëndësishmet, janë në dispozicionin tonë. Pyetja që shtroj është: Kush i filtron?

Verën e shkuar po punoja në shtëpinë time në fshat, pa tridhjetë mijë librat që kam në Milano, dhe në një moment kisha nevojë për disa të dhëna mbi Holokaustin. U futa në internet dhe gjeta një pafundësi të dhënash. Duke njohur mirë historinë bashkëkohore isha në gjendje që direkt të eliminoja disa adresa në të cilat ofrohej informacion sipërfaqësor dhe munda të seleksionoj dhjetë adresa që përmbanin informacione të vlefshme. Por çfarë ndodh me një të paditur që hyn në internet për të gjetur të dhëna mbi Holokaustin? Paaftësia për të filtruar sjell pamundësinë për të eliminuar informacione të panevojshme. Për mua, të kesh dhjetë mijë adresa për të njëjtin argument është njësoj si të mos kesh asnjë, sepse një individ (kryesisht të rinjtë) nuk është në gjendje të seleksionojë ato të rëndësishmet dhe të besueshme, por edhe nëse arrin ta bëjë këtë, nuk do të ketë kohë t’i eksplorojë të gjitha. Kemi shtuar kapacitetet tona të kujtesës, por nuk kemi gjetur ende mënyrat për të filtruar informacionet.

Kur ndodhemi përpara internetit nuk disponojmë asnjë rregull për të seleksionuar informacionet dhe asnjë rregull për të harruar ato që janë të panevojshme për t’u mbajtur mend. Përdorim kritere përzgjedhjeje vetëm në rastet kur jemi të përgatitur intelektualisht për t’u përballur me web-in. Kemi nevojë për qendra formimi (shkolla, libra, institucione shkencore dhe pak adresa interneti) që të na mësojnë se si të bëjmë seleksionimin:  duhet shpikur një art i ri i shkatërrimit sepse në të kundërt shtatë miliardë njerëz të këtij planeti do të përdorin shtatë miliardë mënyra të ndryshme për seleksionimin ideologjik. Rezultati i kësaj mund të ishte një shoqëri e përbërë nga identitete individuale që përballen me njëri-tjetrin, pa ndërmjetësimin e grupeve, gjë që më duket e rrezikshme. Nuk e di nëse një shoqëri e tillë mund të funksionojë në mënyrë të drejtë. Madje edhe për të shpikur diçka të re kemi nevojë për një enciklopedi të përbashkët për t’ia filluar. Që nga antikiteti klasik ka ekzistuar problemi i nevojës për të harruar, që buron paralelisht me atë të zhvillimit të teknikave të kujtesës.

Për të ruajtur identitetin e saj, një shoqëri nuk duhet të sillet vetëm si një arkivë informacionesh, por edhe si një filtër. Historia e civilizimeve është një vazhdimësi humnerash në të cilat kanë humbur tonelata informacione. Për shembull grekët nuk ishin të aftë të rimerrnin konceptet matematikore të egjiptianëve. Mesjeta humbi gjithë shkencën greke, gjithë Platonin dhe gjysmën e Aristotelit. Disa prej këtyre humbjeve ishin aksidentale (ishte mëkat humbja e matematikës së Mesopotamisë, nëse ka ekzsituar), disa kanë humbur për shkak të censurës, pjesë të tjera të memories së humbur në një farë mënyrë janë rizbuluar më vonë, por në përgjithësi funksioni i kujtesës shoqërore dhe kulturore është të veprojë si filtër, jo të ruajë gjithçka.

Jeta ime nuk është dhe sigurisht nuk do të jetë aq e gjatë sa të më japë mundësinë që të zbuloj gjithë strukturën e sistemit diellor, tabelën e Mendelejevit, teoremën e Pitagorës, historinë angleze dhe gramatikën apo për të vendosur nëse Darvini e kishte mirë dhe Lamarku gabohej. Ja pra përse kam nevojë për institucione që të mund të filtrojnë informacionet e nevojshme në vendin tim, në mënyrë që njohuritë e mia mbi sistemin diellor të jenë pak a shumë të njëjtat me ato tuajat. Të filtrosh nuk do të thotë të fshish. Kohët e fundit ndodh që shoqëritë nuk na lejojnë të harrojmë ato që dimë apo që kemi ditur, por na pengojnë të mësojmë gjëra që nuk i dimë ende. Prandaj një civilizim mund të përdorë disa mënyra për të zhdukur informacionet, mënyra që variojnë nga censura e deri te harresa e shkaktuar prej turpit, inercisë apo keqardhjes.

Si të reagojmë përballë humbjes së kujtesës dhe teprimit të zhdukjes së informacionit? Si mund të vendosim se kur është i rëndësishëm një filtrim dhe kur duhet të rikuperojmë diçka të harruar?

Nëse lexojmë “Poetika” të Aristotelit, aty përmenden shumë tragjedi greke që nuk kanë mbërritur në ditët tona. Nuk e dimë përse këto tragjedi janë zhdukur, ashtu sikurse janë zhdukur edhe emrat e autorëve të tyre. Një hipotezë naive është se Sofokliu, Eskili dhe Euripidi kanë mbijetuar sepse ishin më të mirët. Por, më të mirët sipas cilave kritere? Për cilat arsye ata u përzgjodhën për t’i mbijetuar kohëve? Ndoshta janë censuruar tragjedi të mrekullueshme, ndoshta ndonjë autoritet i korruptuar në Athinë urdhëroi që Sofokliu të kishte më shumë mbështetje se ndonjë koleg tjetër i pafat? Nuk e di nëse ndonjë ditë këto tragjedi mund të gjenden në ndonjë vend, siç ndodhi me pergamenat e Detit të Vdekur. Por di se ka njerëz të specializuar (si historianët dhe arkeologët) që mund të hedhin dritë mbi të dhëna të zhdukura. Në këtë rast, kujtesa kolektive i merr këto të dhëna, i përpunon dhe i bën pjesë të enciklopedisë sonë të përbashkët. Në të kundërt, disa herë, një shoqëri zgjedh që këto të dhëna mund të jenë të dobishme për kërkime shkencore specifike dhe janë të panevojshme për njerëzit e zakonshëm, ndaj i bën pjesë vetëm të enciklopedive shkencore. Në këtë mënyrë një shoqëri e matur vendos t’i lërë disa informacione në gjendje amullie. Informacioni i tepërt, pra, është ngrirë në mënyrë që kur t’i vijë koha të futet në mikrovalë dhe të përdoret, siç mund të jetë rasti i deshifrimit të një dokumenti antik të zbuluar së fundmi.

Këto vende përfaqësohen nga bibliotekat ose arkivat. Deri më sot asnjë enciklopedi dhe asnjë bibliotekë nuk ka gjurmët e të gjithë ushtarëve që morën pjesë në betejën e Vartelosë (dhe imagjinoni se çfarë tragjedie do të ishte sikur t’u kërkonim studentëve të mësonin gjithë emrat e ushtarëve në këtë betejë). Por le të supozojmë se ndonjë studiues arrin t’i gjejë këto emra. Nuk e di se sa e dobishme mund të jetë një gjë e tillë, pra të kesh emrat e ushtarëve që luftuan në Vaterlo, por në çdo moment mund t’i transformojmë këto të dhëna në një enciklopedi super të specializuar. Në këtë mënyrë mund t’i harrojmë lehtësisht të gjithë emrat dhe në të njëjtën kohë jemi të sigurt se në momentin që do të na hyjnë në punë, mund t’i gjejmë në ndonjë arkiv.

Të shtypur mes humbjes së kujtesës dhe teprimit me të, çfarë mund t’u sugjerojmë fëmijëve tanë që nuk dinë as se çfarë ka ndodhur dhjetë vite para se ata të lindnin?

E vetmja mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë është të lexojmë. Leximi jo vetëm pasuron kujtesën, por edhe na e zgjat paksa jetën. Mendoni për një ditë ose një javë gjatë së cilës keni përjetuar shumë emocione të forta, qofshin pozitive ose negative. Do t’i mbani mend këto orë dhe ditë si të mbushura me eksperiencë dhe jeta do t’ju duket e plotë. Në të kundërt, nëse keni kaluar ditë ku nuk ka ndodhur asgjë, këto ditë pa asnjë ndodhi domethënëse do të zhduken nga kujtesa juaj. Do t’ju duket sikur nuk keni jetuar fare gjatë asaj periudhe kohore.

Mendoj se kjo është një prej arsyeve se përse njerëzit shpesh herë shpenzojnë energji të shumta për të rikuperuar gjëra të së shkuarës. Nëse bashkë me kujtimet tona personale do të ruajmë edhe kujtimin e ditës kur u vra Jul Çezari, të betejës së Vaterlosë apo fundja ditën imagjinare kur vdiqën Romeo dhe Zhuljeta, nëse do të kujtojmë si një kujtim personal udhëtimin në Hispaniola të Xhimit, doktor Livesey dhe kapitetin Smollett, në fund të ekzistencës sonë do të kemi përshtypjen sikur kemi jetuar shumë, jo dekada, por shekuj.

Në çastet e fundit të jetës sime do të kujtoj jo vetëm çfarë më ka ndodhur mua, por edhe zhdukjen e dinosaurëve, betejën e Poitier, momentin kur zonja Curie zbuloi radioaktivitetin, momentin magjik kur Dante pa trëndafilin mistik… gjithë këto kujtime do të jenë pjesë e ekzistencës sime.

Si lexues kam pasur një jetë aq të gjatë sa nuk mund të kujtoj gjithçka në një moment, por shpresoj të kem mjaftueshëm kohë për t’i kujtuar me seri.

Në një botë në të cilën tentohet të harrohet apo të injorohet shumë, rizbulimi i të shkuarës sonë kolektive duhet të jetë projekti themelor i së ardhmes./Ky tekst është një “lectio magistralis” i titulluar “Kundër humbjes së kujtesës”, i shkruar dhe i mbajtur në anglisht nga Umberto Eco në godinën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara më 21 tetor të vitit 2013. Eventi u organizua me Departamentin e Informacionit Publik në OKB. Biblioteka e tij personale përmban 35,000 libra, ndër të cilët 1,500 janë vëllime të rralla dhe antike.  Dy vite pas ndarjes së tij nga jeta, bashkitë e Milanos dhe Bolonjës, dy qytetet ku jetoi dhe punoi, po rivalizojnë njëra-tjetrën se cila të marrë nën zotërim fondin e librave. Ky leksion u shqipërua me disa shkurtime nga Erjon Uka. Publikuar fillimisht në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *