Montanelli
Të flasësh me Niçen e Shopenhauerin, Irvin Yalom: Zoti është një trillim ngushëllues

Të flasësh me Niçen e Shopenhauerin, Irvin Yalom: Zoti është një trillim ngushëllues

Intervistë me Irvin Yalom: Turpi për prindërit e varfër dhe sukseset në psikoterapi. Më pas romanet bestseller si “Kur qau Niçja” apo “Problemi Spinoza”. Martesa e lumtur, zbulimi i rastit të Ernest Hemingëay dhe një diagnozë për Donald Trump.

Nga Enrico Deaglio/ San Francisco. “Lëre fare Skype-n, do të përdorim Zoom. Do të merrni në e-mail në orën 9:30, klikoni në link-un dhe do të shihemi ballë për ballë. Do të flasim për 25 minuta”.

E kështu Irvin Yalom, një prej psikoterapistëve më të mëdhenj amerikanë, mu shfaq papritur shumë pranë, në gjitë ekranin e laptop-it tim: me mollëzat e mëdha aziatike, gojën mishtore alla Yul Brynner, me sytë e errët dhe ballin që shpesh e mbulon me dorën e hapur.

Yalom është profesor emeritus në Universitetin e Stanford, autor i një manuali që revolucionarizoi dhe demokratizoi psikoterapinë e më të cilin u shkolluan mijëra studentë të tij, sot numëron 86 vite. Është i sëmurë rëndë, por e vazhdon aktivitetin e tij privat. “U them gjithmonë pacientëve se terapia nuk mund të zgjasë më shumë se një vit”. Tashmë është i mërzitur që nuk mund të lëvizë më me biçikletën e tij. E bëjmë këtë bisedë mbi librin e fundit, “Rrugëtim drejt vetvetes, kujtimet e një psikiatri” (përkthyer edhe në shqip). Yalom është edhe një romancier i suksesshëm me tre trillera të pazakontë klinikë dedikuar Shopenhauerit (ndihmon një profesor amerikan pasi mëson se vuan nga tumori), Niçes (i obsesionuar me Lou Salome shkon te psikiatri) dhe Spinozës (teoricieni i antisemitizmit nazist nuk mund të çlirohet nga fantazmat e tij).

Profesor, nëse e kam kuptuar saktë, për ju turpi, faji dhe inati janë ndër shkaqet kryesore të ankthit njerëzor.
Natyrisht nuk janë të vetmet, por janë mes më të rëndësishmeve. Prodhojnë forma të ndryshme sëmundjesh psikiatrike dhe përkeqësohen me perceptimin e afrimit të vdekjes. Vdekja është si ajo bubullima e largët që dëgjojmë ndërsa po bëjmë një piknik.

Ju nuk i jepni shumë rëndësi “traumës seksuale” që ka qenë shumë e rëndësishme për psikanalistët…
E vërtetë. Besoj se Frojdi e ka mbivlerësuar çështjen e seksualitetit në formimin e personalitetit të fëmijëve.

Ju u bëtë eksponenti më i madh i psikoterapisë ekzistenciale. Si ndodhi?
Në kohën e doktoraturës në Johns Hopkins University isha martuar prej pak kohësh me Marilyn (Marilyn Yalom është një historiane e famshme feministe) që ndiqte një kurs letërsie krahasuese. Prej saj u njoha me Sartrin, Kamynë, Kafkën, Merleau-Ponty. Cilësia e shkrimeve të tyre ishte një shok për mua. “Neveria” është një tërësi çështjes klinike ndërsa me “Metamorfozën” u dashurova. Pastaj më 1958 u botua antologjia “Existence” e Rollo May, mentorit tim, që na njohu me punët e Eugene Minkoëski, Viktor von Gebsattel, Viktor Frankl, psikologu vjenez që i mbijetoi Aushvicit.

Po ju profesor besoni në Zot?
Jo: Falë Zotit, as unë dhe as Marilyn nuk kemi marrëdhënie me Zotin, por e kuptoj se ky trillim mund të ketë efekte të mëdha ngushëlluese. Nuk mendoj se ekziston një jetë e përtejme, por praktika terapeutike më ka mësuar se kujtimet e aksioneve tona vazhdojnë për një kohë të gjatë pas vdekjes, si gurgullimat në një pellg. Këto gurgullima përfaqësojnë ekzistencën tonë pas vdekjes.

Ju u bëtë i njohur për një diagnozë mbi Ernest Hemingway.
Po jua tregoj si ishte. Marilyn u vu në dijeni të disa letrave që shkrimtari i dërgonte një mikut të tij gjeneral, hero i betejës së D-Day. Hemingway që publikisht e shiste veten si boksier, gjuetar, si një macho, në ato letra shfaqej shumë vurnerabël dhe fëmijënor, i zhveshur nga modeli i burrit të fortë. Kjo shpjegonte shumë nga letërsia e tij, nga ekseset e deri te vetëvrasja në moshën 62-vjeçare, sipas nesh për shkak të një psikoze depresive paranojake. Praktikisht ishte bestselleri ynë i parë! Artikulli i botua në qindra gazeta.

Flas me profesor Irvin për momentet kyçe të formimit të tij, turpin për prindërit e varfër dhe të paditur, martesën e lumtur, transferimin në Kaliforni si profesor në Stanford dhe pjesëmarrjen në lëvizjen e madhe kundër luftës në Vietnam.

Por a dëshiron sot Yalom të përfshihet në grupin e psikiatërve amerikanë që do të analizojnë Donald Trumpin? Jo dhe përgjigjet me një tjetër ton të zërit. “Nuk duhet të jesh ndonjë gjeni për të kuptuar se ai njeri është narcist, i rremë, fëmijënor dhe që nuk duhet të jetë presidenti i asnjë vendi e aq më pak i Amerikës. Më shqetëson shumë dhe vetëm shpresoj që mos të shkojë shumë larg.”

E pyes nëse po ndjek lëvizjen e re të studentëve kundër armëve. “Sigurisht, është një gjë shumë emocionuese. Janë të guximshëm kundër institucioneve malinje. Por, nuk e di sa mund të zgjasë.”

Në fund dua t’i marr recetën se ku konsiston psikoterapia e tij. “Në marrëdhënien e empatisë që krijohet me pacientin. Suksesi varet nga sa psikoterapisti është në gjendje të mësojë nga pacienti, nga sa është transparent dhe i ndershëm. Pjesa tjetër, liturgjitë, nuk kanë asnjë rëndësi”.

Kisha edhe shumë pyetje të tjera për t’i bërë, mbi mikun e tij të dashur Dickens, mbi pasionin për pokerin dhe tenisin, por në laptop shfaqet një buzëqeshje e madhe empatike. Zoom e ndërpret komunikimin pikërisht në fjalët e fundit të librit të tij: “Pra, fjalët e Zarathustrës së Niçes kanë kuptim edhe për mua: Ishte kjo jeta? Përpara, edhe një herë.”

Irvin Yalom është autor i romaneve “Kur qau Niçja”, “Problemi Spinoza” dhe “Kura e Shopenhauerit” si edhe e librave të tjerë si “Krijesat e një ditë” apo “Rrugëtim drejt vetvetes”, të gjitha të përkthyera në edhe në shqip. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.