Montanelli
Metamorfoza e Mario Vargas Llosa, nga komunizmi latin te liberalizmi: Inteligjenca nuk është garanci e ndershmërisë intelektuale

Metamorfoza e Mario Vargas Llosa, nga komunizmi latin te liberalizmi: Inteligjenca nuk është garanci e ndershmërisë intelektuale

Mario Vargas Llosa duket në formë të mirë. Prej kohësh ka hequr dorë nga marksizmi dhe tashmë flet me entuziazëm për idetë e tij liberale. Kjo është edhe tema e librit të fundit, të sapo botuar me titullin “La llamada de la Tribu” ku rreshtohet në krah të liberalizmit duke analizuar shtatë mendimtarë: Adam Smith, José Ortega y Gasset, Friedrich von Hayek, Karl Popper, Raymond Aron, Isaiah Berlin dhe Jean-François Revel.

Këta njerëz i përkasin një shkolle mendimi që beson tek individi si një qenie e pavarur dhe e përgjegjshme, ashtu siç beson te liria si pasuri supreme. Mbrojnë demokracinë dhe ndarjen e pushteteve, duke hedhur poshtë frymën fisnore që ka ushqyer ndër shekuj fashizmin, komunizmin, nacionalizmin dhe fanatizmin fetar. Libri i fundit i Vargas Llosa, fitues i çmimit Nobel në letërsi për vitin 2010, është edhe një lloj autobiografie ku përshkruan metamorfozën e tij nga komunizmi tipik i Amerikës Latine, tek ekzstencializmi e së fundi te liberalizmi. Duke folur për këtë në revistën spanjolle “El Pais”, ai zbulon edhe shumë momente personale si bisedat me Fidel Castron dhe jetën në Anglinë e Margaret Thatcher.

Pse sulmohet kaq shumë mendimi liberal?
Është shënjestruar nga ideologji që janë armike të lirisë, të cilat në mënyrë të justifikueshme e shohin liberalizmin si armikun më të madh. Pikërisht këtë dua të shpjegoj në libër. Fashizmi dhe komunizmi e kanë sulmuar shumë liberalizmin, kryesisht duke e karikaturuar dhe duke e lidhur me konservatorizmin. Në fazat e tij të para, liberalizmi u rrethua nga e djathta dhe shumë e sulmuan si një doktrinë armike ndaj fesë dhe vlerave morale. Unë besoj se këta kundërshtarë kanë përcaktuar edhe lidhjen e fortë që ekziston mes liberalizmit dhe demokracisë. Demokracia ka ecur përpara dhe të drejtat e njeriut janë njohur kryesisht falë mendimtarëve liberalë.

“A janë liberalët të dënuar të ecin vetëm? Liberalizmi jo vetëm që e mirëpret, por mbi të gjitha e nxit ndryshimin.”

Autorët që ju analizoni në libër kanë ecur kundër rrymës.
Madje Hayekut dhe Ortegës u janë ndaluar dy libra. A janë liberalët të dënuar të ecin vetëm? Liberalizmi jo vetëm që e mirëpret, por mbi të gjitha e nxit ndryshimin. Njeh faktin se shoqëria është e përbërë nga shumëllojshmëri njerëzish dhe është e rëndësishme të ecet përpara duke mbajtur këtë mënyrë. Nuk është një ideologji. Ideologjia është një fe laike. Liberalizmi mbron disa ide bazike si liria, individualizmi, refuzimin ndaj kolektivizmit dhe nacionalizmit. Me fjalë të tjera i kundërvihet të gjitha ideologjive apo doktrinave që kufizojnë apo asgjësojnë lirinë brenda shoqërisë.

Le të flasim për nacionalizmin. Ortega dhe Gasset kanë shumë për të thënë mbi rrezikun e tij në vendet baske dhe Katalonjë. Pse liberalët e refuzojnë nacionalizmin?
Sepsë nuk qëndron së bashku me lirinë. Mjafton t’i çjerrësh pak fytyrën për të parë se nacionalizmi kthehet në një lloj racizmi. Nëse ju besoni se t’i përkasësh një vendi, shteti, race apo feje të caktuar është një privilegj, pra një vlerë në vetvete, ju besoni se jeni superior karshi të tjerëve. Paevitueshmërisht racizmi çon drejt dhunës dhe shtypjes së lirisë. Kjo është arsyeja se përse liberalizmi që nga kohët e Adam Smithit e ka refuzuar këtë lloj kolektivizmi në nacionalizëm.

Populizmi, ringritja e nacionalizmave, Brexit… a ka një rilindje të klaneve fisnore?
Është një trend që po i kundërvihet asaj që unë e quaj progresin më të madh të kohëve tona, duke ngadalësuar heqjen e kufijve dhe duke nxitur përdorimin e gjuhëve, zakoneve dhe besimeve të ndryshme, siç po ndodh në Europë. Kjo sjell gjithnjë e më shumë pasiguri dhe paqartësi, duke u kthyer në tundim të madh për t’u rikthyer në organizimet fisnore, në shoqëritë e vogla dhe homogjene që realisht nuk ekzistojnë. Në shoqëri ku të gjithë janë njësoj, kanë të njëjtat besime dhe flasin të njëjtën gjuhë. Ky është një mit që gjeneron shumë siguri dhe shpjegon revolta të tilla si ajo e Brexit, si nacionalizmi katalanas apo edhe nacionalizmat që po ndodhin në Poloni, Hungari e madje edhe në Holandë. Nacionalizmi është prezent, por unë jamë shpresëplotë se ashtu si në Katalonjë, është në minoritet dhe forca e insitucioneve demokratike do të triumfojë. Jamë shumë optimist.

“Mbaj mend se i kam shkruar një letër personale Fidelit duke i thënë se isha i tronditur…”

Kalimi juaj nga marksizmi te liberalizmi nuk është edhe aq i pazakontë. Në fakt, është e njëjta rrugë që kanë ndjekur disa prej autorëve që keni analizuar si Popper, Aron dhe Revel.
Brezi im në Amerikën Latine i thirri arsyes në një kontinent me babarazi monstruoze dhe diktatura ushtarake të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Për një të ri është shumë e vështirë të mos refuzojë këtë karikaturë të demokracisë. Unë doja të isha komunist, sepse mendoja se komunizmi ishte atiteza e diktaturës ushtarake, korrupsionit dhe mbi të gjitha e pabarazisë. Nisa studimet në Universitetin e San Marcos me idenë se atje do të gjeja komunistë të tjerë për të krijuar shoqëri. Dhe atje kishte komunistë, por komunizmi në Amerikën Latine ishte stalinizëm i pastër. Militova vetëm për një vit, e më pas vazhdova të isha socialist në një mënyrë më të relaksuar, një qëndrim i nxitur edhe nga revolucioni kuban, i cili në fillim u duk se do të ishte një lloj tjetër komunizmi, me një stil më pak dogmatik. U entuziazmova dhe në vitet ’70 shkova pesë herë në Kubë. Ama, gradualisht zhgënjimi zuri vend tek unë. U dhunuan të rinj që i njihja dhe kjo ishte një traumë. Mbaj mend se i kam shkruar një letër personale Fidelit duke i thënë se isha i tronditur e duke e pyetur se si Kuba, e cila u duk se ishte tolerante dhe do të aplikonte një lloj socializmi të hapur, mund të bashkonte “krimbat” dhe homoseksualët në kampe përqëndrimi së bashku me kriminelët e rëndomtë. Fideli më ftoi mua dhe një duzinë intelektualësh të tjerë për të biseduar. Ne kaluam gjithë natën, 12 orë, nga ora tetë e mbrëmjes deri në tetë të darkës, kryesisht duke e dëgjuar atë të flasë. Na bëri përshtypje, por nuk na bindi. Prej atij momenti, u bëra pak dyshues. Krisja përfundimtare ndodhi me rastin Padilla, kur shkrimtari Heberto Padilla i burgosur në vitin 1971 u detyrua që të denigronte veten në një gjyq publik. Ky moment shënjoi kështu edhe fundin e marrëdhënieve mes intelektualëve dhe regjimit kuban. Kam kaluar nëpër një proces të gjatë dhe të vështirë, duke përqafuar demokracinë dhe duke u zhvdendosur gradualisht drejt doktrinës liberale. Duhet thënë se kam qenë me fat që kam jetuar në Britani gjatë qeverisjes së Margaret Thatcher.

Imazhi që ju na jepni për Margaret Thatcher si një grua e zonja, e kulturuar dhe thellësisht liberale bie në kundërshtim me imazhin që kemi për të.
Ajo është një karikaturë e padrejtë. Kur unë shkova në Angli, ai ishte kthyer në një vend dekadent. Një vend ku liria kishte rëndësi, por që gradualisht po shuhej prej politikave nacionaliste të Partisë Laburiste. Revolucioni i Margaret Thatcher e zgjoi Britaninë. Ato ishin kohë të vështira:  u ul roli i sindikatave, u krijua një shoqëri e bazuar në ekonominë e tregut dhe u mbrojt demokracia përballë socializmit, përballë vendeve si Kina apo Bashkimi Sovjetik. Këto ishin vite vendimtare për mua, pasi fillova të lexoj Hayek dhe Popper, të dy autorë që citoheshin nga Thatcher. Kontributi i Thatcher dhe Ronald Reagan në kulturën e lirisë, duke i dhënë goditjen finale Bashkimit Sovjetik, ka qenë sfida më e madhe që demokracia ka pasur ndonjëherë.

“Po bombardohemi me një teknologji që po vihet në shërbim të gënjeshtrës dhe nëse nuk e ndalojmë këtë fenomen, do të kthehet në diçka destruktive duke korruptuar civilizimin, progresin dhe të vërtetën demokratike.”

Cila është sfida më e madhe e demokracisë sot?
Armiku i saj më i madh është populizmi. Askush me mendim të djathtë nuk do ta bëjë vendin e tij si Korea e Jugut, Kuba apo Venezuela. Marksizmi tashmë ndodhet në skajet e jetës politike, por kjo nuk ndodh me populizmin që po i gërryen demokracitë nga brenda. Është shumë më pak e drejtpërdrejtë se një ideologji, por që vendet me demokraci të dobët preken kollaj.

Kriza e vitit 2008, që shtoi në mënyrë të skajshme pabarazitë, ka rritur kritikat ndaj liberalizmit, shpesh herë i quajtur si neoliberalizëm.
Unë nuk e di se çfarë ata quajnë neoliberalizëm. Kjo është një mënyrë për ta karikaturuar liberalizmin dhe për ta paraqitur atë si formën më të egër të kapitalizmit. Por liberalizmi nuk është dogmatik, nuk ka përgjigje për çdo gjë. Liberalizmi ka evoluar vazhdimisht që nga koha e Adam Smithit e deri në ditët e sotme, ku shoqëria është më komplekse.

“Liberalizmi nuk është dogmatik, nuk ka përgjigje për çdo gjë.”

Diferenca kryesore midis llojeve të ndryshme të liberalizmit është roli i shtetit.
Po. Liberalët duan një shtet efektiv, por jo pushttues. Një shtet që garanton lirinë dhe mundësitë e barabarta, sidomos në arsim, në respekt të ligjit. Por përtej këtij koncepti bazik, ka disa diferenca. Isaiah Berlin thotë se liria ekonomike nuk mund të jetë e pakufizuar, pasi ishte kjo që i burgosi fëmijët në miniera në shekullin e XIX. Nga ana tjetër Hayek ka një besim të verbër të tregu dhe thotë se ai mund t’i zgjidhë të gjitha problemet nëse lihet të veprojë i lirë. Berlin ishte më realist. Në fakt ai e pranonte faktin se tregu sjell zhvillim, por nëse zhvillim do të thotë krijim i pabarazive të tilla, kjo rrezikon demokracinë. Ndërsa Adam Smithi, babai i liberalizmit, ishte shumë fleksibël në këtë pikë. Sigurisht që ka edhe shtrembërime të liberalizmit. Për shembull ka ekonomistë mendje-mbyllur të bindur se vetëm reformat ekonomike mund të sjellin lirinë. Nuk jam dakort me këtë pikë. Unë mendoj se idetë janë më të rëndësishme se reformat ekonomike. Por duke folur edhe një herë për karikaturat apo truket e gjuhës, përdorimi i fjalës “progresiv” është shumë kuptimplotë: Në Spanjë për shembull përdoret për të përshkruar forcat që mbështesin diktaturat në Kubë dhe Venezuelë. Besoj se fatkeqësisht intelektualët kanë kontribuar në shtrëmbërimin e gjuhës. Kanë folur për prestigjin e marksizmit dhe komunizmit, siç kanë bërë për nazizmin dhe fashizmin më parë. Verbërisht intelektualët e kanë parë demokracinë si një sistem mediokër të cilit i mungon bukuria, perfeksioni dhe koherenca e ideologjive të mëdha. Kjo verbëri nuk është e denjë për mendjet inteligjente. Si mundi Heidegger, ndoshta filozofi më i madh i kohëve të fundit, të ishte nazist? E njëjta gjë ndodhi edhe me komunizmin, ku shumë shkrimtarë dhe poetë të mëdhenj përshëndetën Gulakun. Jean-Paul Sartre, filozofi më inteligjent i shekullit XX, mbështeti Revolucionin Kinez.

Sartre justifikoi genocidet dhe mbështeti regjimet tiranike, ndërsa të tjerë si Albert Camus rrezikonin jetën në Rezistencë. Më pas ai dha edhe leksione! Pse vazhdoni ta mbroni?
Mirë, Sartre ka qenë pjesë thelbësore e adoleshencës sime.

Ju e quani një intelektual të madh, por politikat e atij njeriu ngrenë shumë pikëpyetje.
Ai nuk ishte një pjesëtar i vërtetë i Rezistencës. Ai i përkiste një pjesë pasive të Rezistencës dhe besoj se kurrë nuk e mposhti këtë kompleks, aq sa gjatë gjithë jetës beri përpjekje, shpesh herë groteske, për të fituar cilësimet si “progresist” dhe “revolucionar”. Ishte diçka e zakonshme në kohën e tij, kur intelektualët duhet të kalonin testin e të qenit progresiv pasi kjo pritej prej tyre. Nëse nuk ishte intelektual i majtë në Amerikën Latine të viteve ’70, thjesht nuk ishe intelektual. Ishe jashtë loje. Kultura kontrollohej nga e majta klanore dhe dogmatike që kishte një ndikim të madh në jetën kulturore. Besoj se kjo ka ndryshuar shumë.

“Për fat të keq, inteligjenca nuk është garanci e ndershmërisë intelektuale.”

Kështu ndodhi edhe në Europë.
Patjetër që po. Megjithatë gjatë kohës sime në Angli kishte shumë intelektualë që nuk e kishin këtë kompleks. Ata luftuan dhe më ndihmuan edhe mua që të jem i sinqertë me veten time.

Është çështje e ndershmërisë intelektuale.
Elitat që kanë mbrojtur regjimet nuk duhet të kthehen më… Për shembull Bertrand Russell gjatë jetës së tij mbrojti shumë çështje të drejta dhe ishte një person i admirueshëm, por në të njëjtën kohë doli në mbrojtje të veprimeve të tmerrshme dhe e la veten të manipulohej nga e majta, e cila as nuk i kishte lexuar punimet dhe idetë e tij. Si e shpjegoni është kontraditë? Për fat të keq, inteligjenca nuk është garanci e ndershmërisë intelektuale.

A duhet ta respektojmë punën e një të pabesueshmi?
Jo vetëm që duhet ta respektojmë, por duhet edhe ta botojmë. Nëse e gjykoni letërsinë në termat e moralit dhe etikës, ajo do të zhduket, do të humbasë arsyen e ekzistencës. Letërsia shpreh atë që realiteti për shumë arsye e fsheh. Asgjë nuk e stimulon më së shumti shpirtin kritik të një shoqërie se sa letërsia. Por duhet pranuar se letërsia dhe morali nuk shkojnë në të njëjtën rrugë. Ato janë armike dhe ju duhet të respektoni letërsinë nëse besoni në liri.

“Asgjë nuk e stimulon më së shumti shpirtin kritik të një shoqërie se sa letërsia. Por duhet pranuar se letërsia dhe morali nuk shkojnë në të njëjtën rrugë.”

A e rrezikon korrektësia politike lirinë?
Korrektësia politike është armikja e lirisë sepse refuzon ndershmërinë dhe autenticitetin. Duhet ta trajtojmë si shtrembërim të së vërtetës.

Kohët e fundit përdoret shpesh termi “fake news”.
Terma të rinj për realitete të vjetër. Në rastin e keqinformimit dhe manipulimit komunizmi ishte shumë më i zgjuar për t’i shtrembëruar gjërat, duke manipuluar njerëzit e ndershëm dhe duke veshur gënjeshtrat si të vërteta për të zëvendësuar realitetin.

Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më, por tashmë kemi një lloj interference kibernetike mes Moskës dhe Shteteve të Bashkuara, mes zgjedhjeve në Katalonjë dhe fushatave elektorale në Meksikë dhe Kolumbi.
Po përballemi me një revolucion teknologjik që në vend se ta forcojë, po e shtrembëron demokracinë. Teknologjia mund të përdoret për shumë gjëra, por armiqtë e demokracisë dhe lirisë po e përdorin për qëllimet e tyre. Është një realitet me të cilin duhet të përballemi, por që fatkeqësisht besoj se nuk kemi mjetet e duhura për t’u përballur. Po bombardohemi me një teknologji që po vihet në shërbim të gënjeshtrës dhe nëse nuk e ndalojmë këtë fenomen, do të kthehet në diçka destruktive duke korruptuar civilizimin, progresin dhe të vërtetën demokratike./Intervista është botuar në muajin shkurt në revistën e përjavshme spanjolle “El Pais”. Shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *