Blog
Gjuhë e pasur apo e varfër? Shqipja është e palëvruar

Gjuhë e pasur apo e varfër? Shqipja është e palëvruar

Sot nuk ka edhe aq rëndësi nëse shqipja është me të vërtetë ndër gjuhët më të vjetra evropiane; as nëse është apo jo pasardhëse e pellazgjishtes. Problemi është se shqipja sot po anglishtëzohet, po keqpërdoret dhe nuk po lëvrohet.

Nga Erjon Uka/ A është shqipja një gjuhë e pasur, apo e varfër? Të pyesësh shkrimtarët e përkthyesit nuk do të hezitojnë të thonë se është një gjuhë që i lejon të bëjnë akrobaci nga më të ndryshmet, të krijojnë fjalë të reja, të gjejnë sinonime e antonime sa të duash. Mjaft të lexosh ndonjë libër të Kadaresë e do të gjesh fjalë si arkëmort, prushanë, ndajnatë, borinë, rrokadjall, çarjekrismë, qelqnajë, thashethemnajë e të tjera e të tjera si këto, për të kuptuar se si mund të krijohet fjala e të përdoret aq mirë në duart e mjeshtrit. Mjaft të dëgjoje para pak kohësh Bashkim Shehun, që ka sjellë në shqip Roberto Bolanon, Markezin e Javier Cercasin, që në mënyrë të prerë thoshte se shqipja nuk e kufizonte aspak.

Por nëse bisedon me studiuesit, me pedagogët, puna është ndryshe. U duhen dy fjali për të përshkruar një fenomen që në anglisht thuhet me një term. Nëse duan të shqipërojnë, u duhet të zgjaten e të rrotullohen mes fjalive për të gjetur një përshtatje. Ose i bien shkurt, anglishtëzojnë shqipen.

Dhe ky është një problem jo i vogël. Sot nuk ka edhe aq rëndësi nëse shqipja është me të vërtetë ndër gjuhët më të vjetra evropiane; as nëse është apo jo pasardhëse e pellazgjishtes. Problemi është se shqipja sot ka tre armiq ndaj të cilëve duhet të mbijetojë.

I pari është globalizimi dhe është një problem që pak a shumë e hasin të gjitha gjuhët e vogla. Është e vështirë të flasësh me terma specifikë lokalë në një hapësirë të pakufi siç janë rrjetet sociale dhe platformat e tjera në internet. Prandaj, për të shkurtuar kohë e mund, të gjithë përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët. Është gjëja që njerëzit kanë bërë gjithmonë, të përshtaten. Por me rrezikun se kjo përshtatje do të zbehë dallimet, në këtë rast, gjuhësore. Një numër e më i madh fëmijësh në vend të fjalës “për” shkruajnë shenjën “x”; në vend se të thonë “shoqe e ngushtë” shkruajnë “bff”; në vend se të shkruajnë “më merr”, shkruajnë “call me”.

Pastaj vjen keqpërdorimi i shqipes. U ndjeva mirë kur pak kohë më parë pashë në librari se në shqip kishte ardhur Noam Chomsky: një prej kokave të mendimit botëror, ndër të paktët që parashikoi me argumente se Donald Trump do të ishte presidenti i ardhshëm i Amerikës. Nuk ngurrova ta blej e të nis ta lexoj. Që në rreshtat e parë ndjeja se diç nuk shkonte, lexoja fjalë të përkthyera shabllon nga anglishtja si “financializim” a thua se fjala “financim” qenka bërë shumë demode; lexoja një shkallë të re krahasimore, “…për më shumë të pasurit”, sepse ndoshta dukej më e thjeshtë se sa duhej fjalia “për më të pasurit”. E lëre pastaj shpjegimin e koncepteve apo të ideve më të koklavitura. Fatkeqësia sot është se kjo po ndodh rëndom. Një gjuhë vdes nëse nuk përhapet nga librat dhe gazetat, por pëson një agoni të plotë nëse përhapet keq, e përçudnuar.

E fundit, por më shqetësuese, është moslëvrimi i shqipes. Ende kemi mbetur në fjalorin e vitit 1984. Në fjalorin e Oksfordit çdo vit hyjnë fjalë të reja të diktuara kryesisht nga inovacionet teknologjike dhe shkencore, e kjo e bën anglishten një gjuhë të thjeshtë për t’u përdorur. Nëse thua “gugëlloj” nuk po shpik ndonjë gjë, thjesht po e përdor nga fjalori. Ndërsa në shqip nuk gjen asgjë të viteve të fundit. Për të shpjeguar një term ose do ta përdorësh shabllon, ose do të të duhet ta kapësh veshin e majtë me dorën e djathtë, pasi ta kesh rrotulluar nja dy herë rreth kokës.

Prandaj nëse nuk mund të gjendet një konsensus nëse shqipja është një gjuhë e pasur apo e varfër, e sigurt është se prej vitesh mbetet një gjuhë e palëvruar, e pastudiuar, e papërditësuar./Botuar fillimisht në Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *