Kisha sipas një laiku
Nga Eugenio Scalfari/ Një jo-besimtar, siç unë jam, është shumë i interesuar rreth historisë së Kishës e cila nisi kur Pali ra nga kali teksa shkonte nga Jeruzalemi në Damask, i ra të fiktë, u rizgjua – siç rrëfen në disa prej letrave të tij – dhe më pas një Ëngjëll e ngriti nga toka, i hyri në shpirt dhe e transformoi. Pali ishte një prej Apostujve të Jezusit. Apostujt ishin trembëdhjetë, por njëri prej tyre e tradhtoi Jezusin duke e denoncuar tek autoritetet e Tempullit të Jeruzalemit, prej të cilëve edhe u pagua për të dhënë informacione. Kur më pas Jezusi u kryqëzua, Apostulli tradhtar që quhej Juda vari veten. Pali, emri i të cilit në gjuhën hebraike ishte Saul, gjithsesi e konsideroi veten Apostull dhe u kthye në një prej figurave më të rëndësishme të Krishtërimit, i cili atëmot ishte ende duke lindur pasi konsiderohej një nga bashkësitë e ndryshme hebraike që praktikonte në mënyra të ndryshme fenë përkatëse dhe e cila drejtohej nga priftërinjtë e Tempullit.
E çuditshme ta thuash, por në të vërtetë i pari që mori në konsideratë mësimet e Jezusit, predikimin tre vjeçar dhe në fund ardhjen e tij në Jeruzalem, Darkën e Fundit dhe Kryqëzimin, ishte Pali. Të gjithë të tjerët, Apostuj dhe ndjekës, i konsideronin mësimet e Krishtit si një lloj përditësimi të fesë hebraike e cila ishte ende pikë referimi, të paktën deri kur priftërinjtë e Tempullit kërkuan që Jezusi të arrestohej dhe të ekzekutohej.
Edhe pas kësaj krishtërimi vazhdonte të konsiderohej si një variant, megjithëse shumë i rëndësishëm, i hebraizmit. Madje edhe vetë Pjetri që drejtoi këtë komunitet pas vdekjes së Krishtit, e konceptonte në këtë mënyrë, shumë pranë Esenëve të cilët ngjasonin shumë me të krishterët. Natyrisht nuk ishte ky pozicioni i Jezusit nga Nazareti, bir i Jozefit. Deri në moshën 30-vjeçare qëndroi pranë familjes, por pikërisht në atë moment zbuloi brenda vetes birin e Zotit të ulur në tokë për të kryer shpagimin e gjithë njerëzve të botës dhe në atë kohë la shtëpinë e lindjes, për të mos u kthyer më kurrë.
Gjithsesi Apostujt nuk ishin trajnuar për këtë zgjidhje që Jezusi paraqiti në udhëtimin e tij të fundit nga Tiberiasi për në Jeruzalem. Mbi të gjitha e bëri të qartë gjatë Darkës së Fundit: i parashikoi Pjetrit tradhtinë e tij dhe i pyetur nga autoritetet e Tempullit nëse e njihte Jezusin e Nazaretit, Pjetri mohoi se e kishte parë apo e kishte ndjekur ndonjëherë. Këtë tradhti Jezusi e parashikoi, por nuk kishte dhe nuk ka në historinë e krishterë të njëjtin dramacitet të tradhtisë së Judës. Kjo edhe sepse pas vdekjes së tij, ishte Pjetri që mori drejtimin e komunitetit të krishterë. Në fakt duhet thënë hebraiko-kristiane, deri kur Pali bëri interpretimin e një Krishtërimi krejtësisht të ndryshëm nga Hebraizmi.
Këtu fillon edhe ajo pjesë e Biblës e quajtur “Testamenti i Ri”, që tregon në mënyrën e saj historinë e Jezusit. Megjithëatë historia e krishterë ishte e lidhur në një farë mënyrë me atë hebraike, por me ndryshimin se si figurë qëndrore shohin dy personazhe të ndryshëm. Hebrenjtë shohin si përfaqësues të Zotit në tokë figurën e Moisiut dhe të pasardhësve të tij, ashtu sikundër historia e krishterë rrotullohet rreth atij që konsiderohet Biri i Zotit, i mishëruar për të konvertuar njerëzit në fenë e re.
Vdekja e Jezusit të Nazaretit ngjalli një sërë kontradiktash dhe polemikash që vinin nga një fe e re që niste nga forma fillestare e komunitetit hebraiko-kristian dhe që siç thamë, u tejkalua nga ndërhyrja e Palit. Në këtë pikë, të krishterët ishin të vetëm dhe nuk ngatërroheshin me fe të tjera. Pavarësisht kësaj, nuk do të thotë se polemikat brenda fesë se re nuk ishin të pakta dhe madje të dhunshme nga pikëpamja ideologjike. Këto polemika ndodhnin edhe sepse Peshkopi i Romës, paraardhësi i të cilit ishte Pjetri, teorikisht duhej të drejtonte Kishën, por praktikisht kushtet nuk ishin të tilla. Polemikat mbi mënyrën e shikimit dhe ndjesisë së fesë së re në shpirt shkaktuan polemika të shumta, të cilat shpesh rrezikonin ta copëtonin krishterimin në një sërë fesh shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.
Ndryshimi i parë ishte raporti mes Birit të Zotit me Zotin Baba. Një nga tezat me mbështetjen më të madhe dhe që ka zgjatur më shumë në kohë është ajo e cila kërkon të theksojë brendësinë e Birit tek Ati. Biri kishte të njëjtat fuqi me Atin, por mes tyre kishte një dallim thelbësor: Ati kishte krijuar Birin. Edhe pse fuqitë ishin të njëjta, Biri ishte krijesa ndërsa Ati ishte krijuesi. Kjo polemikë vazhdoi për shumë kohë, derisa u tejaklua. Mua më ka rastisur të bisedoj edhe me Papa Françeskun në takimin tonë të parë, dhe Shenjtëria e Tij, që për këto çështje është shumë i përgatitur, m’u përgjigj:
“Kur Zoti, që është një për të gjithë njerëzit e botës, vendosi në një moment të mishërohej për të ndihmuar njerëzimin që të besonte në botën e përtejme dhe të sillej siç duhej, vendosi të mishërohej duke u kthyer në një njeri në gjithë kuptimin e fjalës, njeri me mish dhe me kocka, e madje edhe në mendime e në veprime. Pra një NJERI dhe këtë e tregon në javën e fundit që kaloi në Jeruzalem, në darkën e fundit, në lutjen që i bën Zotit për ta kursyer nga kryqëzimi dhe ai nuk i përgjigjet. Edhe në kryq, ai është një njeri i cili i drejtohet atij që e quan At’ dhe thuajse e qorton kur i thotë: “At’, At’, më braktise!” Ishte njeri deri kur u vendos në varr nga gratë. Atë natë burri u zhduk nga varri dhe nga ajo shpellë doli një shpirt që takoi gratë dhe Apostujt, duke ruajtur hijen e njeriut që të gjithë njihnin dhe më pas u zhduk”.
Nuk mund të ekzistojë një hyjni supreme e gjeneruar vetëm nga një grup besnikësh, ndërsa të tjerët kanë hyjni të ndryshme. Deri më tani ka ndodhur kjo, por Papa Françesku është i pari që mbështet autenticitetin e Zotit, si me disa dallime ceremoniale ashtu edhe me vizionin e hyjnive. Bëhet fjalë për dallime që duhen kapërcyer: Të besosh në një Zot që i përket vetëm një populli dhe jo të tjerëve është e pakuptimtë dhe Papa këtë gjë po e mohon ditë pas dite, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra: përqafon myslimanët, përqafon hebrenjtë, për të mos folur për pretestantët, të krishterë por me ndryshime në sjelljet klerike./ Eugenio Scalfari është themelues i gazetës italiane “La Repubblica” dhe ka qenë për 20 vite Drejtor i saj. Pjesa e mësipërme është shkëputur nga libri i sapobotuar, “Zoti i vetëm dhe shoqëria moderne”. Scalfari njihet si ateist dhe në vitin 2013 ka zhvilluar një takim “kokë më kokë” me Papa Françeskun ku ka diskutuar për ateizmin dhe faljen. Përkthyer në shqip nga Erjon Uka.