Blog
Fotografi me polaroid, si nga një epokë tjetër

Fotografi me polaroid, si nga një epokë tjetër

Thuhet se identiteti ynë është produkt i përjetimeve, të cilave u rikthehemi përmes kujtesës. Por nëse këtë funksion ia besojmë plotësisht pajisjeve të jashtme, siç janë telefonët inteligjentë, a jemi të sigurt se në fund të ditës mbetemi po ne? A e shohim veten siç jemi, apo siç kemi dashur të dukemi në disa fotografi?

Nga Erjon Uka/ Kur ka qenë hera e fundit që keni printuar një foto? Jo që keni shkrepur apo që keni bërë selfie, sepse me siguri që celulari ju bën shpesh naze për t’i fshirë ca foto sepse po i zënë frymën memories. E s’ka si të jetë ndryshe, sepse ekzistojnë edhe dymbëdhjetë poza në të njëjtin pozicion, ku ndryshon vetëm këndi i fytyrës në raport me kamerën e celularit. Fjala është për foto të printuara, foto trembëdhjetë me tetë e që më pas vihen në një album, për t’u shfletuar fizikisht. Si ato albumet e vjetra familjare, të gjyshërve, të prindërve apo tonat kur kemi qenë fëmijë.

Ky mendim më erdhi teksa ecja në shëtitoren e Durrësit dhe një burrë me kapuç e me këpucë sportive, ndonja shtatëdhjetë vjeç, ofronte foto çasti me polaroid. Një fotograf i kohëve të vjetra, që i duhet të mbijetojë në botën dixhitale. E pyeta se sa kushtonte, e më tha 300 lekë. Celularin e kisha në xhep, por vendosëm ta provojmë, të shtyrë nga kurioziteti se po provonim një “teknologji” tashmë të dalë mode. Morëm pozën, me paralajmërimin që t’i mbanim sytë hapur sepse shkrepja bëhej vetëm një herë, e direkt pamë se si polaroidi doli nga aparati. Ngjyrat i mori ngadalë, një proces që dukej i vjetër si nga koha e dinosaurve, deri sa konturet u shfaqën të plota dhe fatmirësisht, secili prej nesh kishte dalë me sy hapur. “Tani po deshët, ma jepni celularin t’ju bëj sa foto të doni”, tha ai. Çfarë ironie! I thashë me të qeshur fotografit se të ishte puna për celular, kishim bërë ndonja njëzet foto dhe nuk kishim zgjedhur polaroidin. Më pa me sytë e vakët, e falenderova, dhe u larguam.

Intensiteti me të cilin bëjmë fotografi, ka ndryshuar edhe mënyrën se si formësohen kujtimet tona. Nëse më parë nga pushimet e gjata pesëmbëdhjetë ditëshe, ktheheshe në shtëpi me gjithsej 20-25 fotografi që ishin printuar nga filmi Kodak, sot ka raste që aq shkrepje bëhen në të njëjtin pozicion brenda disa minutash. E ngacmojmë shumë pak kujtesën, sepse u besojmë fotografive. Nëse jemi përpara një statuje të Mikelanxhelos, një festivali apo një pjate të shijshme, më parë sigurohemi të bëjmë fotografitë më të mira, me mendimin se po i përjetësojmë ato momente e do t’i kthehemi sërish. Në fakt, i kthehemi shumë rrallë. Ose fare.

“Nëse i doni me të vërtetë disa kujtime, krijoni kopje fizike. Printojini!”

Thuhet se identiteti ynë është produkt i përjetimeve, të cilave u rikthehemi përmes kujtesës. Por nëse këtë funksion ia besojmë plotësisht pajisjeve të jashtme, siç janë telefonët inteligjentë, a jemi të sigurt se në fund të ditës mbetemi po ne? A e shohim veten siç jemi, apo siç kemi dashur të dukemi në disa fotografi? Me shumë mundësi që një numër kaq i madh fotografish na bëjnë që të kemi një kujtesë të ngurtë. Çfarë lodhjeje është për secilin që të përshkruajë kujtimet nga fëmijëria e hershme! Pse? Sepse shumë prej tyre i kemi vetëm për shkak të fotografive. Imagjinoni tani sikur e gjithë jeta të kujtohej nga një grumbull pikselash përtej një ekrani xhami me emrin “Samsung”, “iPhone” apo “Huawei”.

Është provuar se shkrepja e fotografive gjatë një ngjarjeje apo një eksperience, sjell një kujtim më të dobët të atij momenti dhe gjithashtu, t’ia besosh kujtesën tënde fotografive, ka të njëjtin efekt. Në një studim të fundit të publikuar në “Psychology & Marketing”, që mori në shqyrtim ata që duan të fotografojnë gjithçka dhe ata që e refuzojnë fotografinë gjatë zhvillimit të ngjarjeve apo përjetimit të eksperiencave, tregoi se fokusimi te fotografitë na bën të humbasim kënaqësinë, pra nuk përjetojmë atë që kemi synim. Për më tepër, mund të dëmtojë kujtesën. “Ka prindër që nuk kujtojnë fjalët e para të fëmijëve të tyre, por kujtojnë fare mirë mënyrën se si i kanë xhiruar apo çfarë celulari kanë përdorur për t’i fotografuar ose filmuar”, ka thënë Gia Nardini nga Daniels College of Business në Denver.

Vetë Vint Cerf, një prej baballarëve të internetit, krijues i protokollit të famshëm TCP/IP dhe zëvendëspresident i Google, para disa kohësh ngriti alarmin se përpara na pret një shkretëtirë e re dixhitale, e ngjashme me Mesjetën. Cerf thoshte se nëse do të mendonim për 1000 vitet e ardhshme, duhet të pyesnim veten se si i ruajmë të gjitha bit-et për të interpretuar në mënyrë të drejtë gjithë sa kemi krijuar?

Pa e vënë re, duke kujtuar se po ruajmë gjithçka në mënyrë dixhitale, harrojmë se teknologjia ndryshon shumë shpejt. Për shembull, sot është e vështirë të gjesh pajisje që të lexojnë pllakat apo video-kasetat e viteve ’30. Vetëm në shekujt e ardhshëm, paralajmëronte Vint Cerf, do të kuptojmë se gjithçka që kemi lënë pas janë vetëm një numër gjigant bit-esh të padeshifrueshme. Po biem të gjithë në atë që mund të quhet vrimë e zezë e informacioni. Cila është këshilla e numrit dy e gjigantit dixhital Google? As më shumë e as më pak por kjo: “Nëse i doni me të vërtetë disa kujtime, krijoni kopje fizike. Printojini!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *