Montanelli
“E shkuara goditet për të fshehur mediokritetin e së tashmes”, Javier Marias tregon shkrimtarët siç nuk i kemi njohur

“E shkuara goditet për të fshehur mediokritetin e së tashmes”, Javier Marias tregon shkrimtarët siç nuk i kemi njohur

Conan Doyle ishte gjaknxehtë dhe lider, sapo shihte një grua që po keqtrajtohej e mbyste me grushte agresorin. Henry James fliste shumë gjatë edhe për vogëlsira. Për shembull, për t’i bërë një kërkesë banale shërbyeses në shtëpi i duheshin minimumi tre minuta. Yukio Mishima, shkrimtari i njohur japonesh që kreu harakiri, i lante dhëmbët me sodë. Nga ana tjetër Thomas Mann vuajti gjithë jetën nga dhembjet e barkut.

Fiksime, fobi dhe probleme nervore… E përshkruar nga Javier Marias, në një galeri të mrekullueshme portretesh, historia e letërsisë duket si një kafaz të çmendurish. Por në librin “Jetë të shkruara”, Marias, duke paraqitur jetët e vërteta të shkrimtarëve të mëdhenj nuk kërkon t’i gjykojë, por i ka treguar si personazhe letrarë. Në një intervistë nga shtëpia e tij në Madrid, shkrimtari spanjoll flet jo vetëm për librin e shkruar 27 vite më parë, por edhe për marrëdhënien e personazheve të famshëm me publikun, të shkuarën dhe të ardhmen, shijet e leximit dhe pasionin për futbollin.  

Mes gjithë shkrimtarëve për të cilët keni shkruar, duket se nga ana njerëzore për disa nuk keni ndonjë respekt të madh.

Disa merren shumë seriozisht. Për shembull, Thomas Mann si shkrimtar këmbëngulte shumë mbi vlerën e ironisë, por duke gjykuar nga letrat dhe ditarët, në jetën e përditshme nuk ishte edhe aq ironik. James Joyce ishte i sigurt se “Uliksi” do të angazhonte pesë breza lexuesish. Ndoshta edhe mund të jetë e vërtetë, por a i takon një autori ta thotë këtë gjë? Ekziston gjithmonë dyshimi se kush flet me shumë siguri, nuk është edhe aq i sigurt në vetvete.

Nuk janë as biografi të mirëfillta dhe as skica gazetarie. Janë tregime. Si keni punuar?

Përtej biografive, jam argëtuar duke lexuar gjëra nga persona që normalisht nuk shkruajnë si bashkëshortja e Conrad apo vëllai i Faulkner. Janë tekste “familjare” të njerëzve që jo gjithmonë arrijnë të kuptojnë se çfarë duhet thënë e çfarë jo, por që shpesh herë janë anekdoda të këndshme. Shumë materiale i kam marrë prej këtyre letrave.

Nuk keni shpikur asgjë?

Jo, më së shumti madje mund të kem zbukuruar ndonjë gjë.

“Ndoshta në të ardhmen do të kuptojmë se kemi jetuar në kohët e turmave të çmendura.”

Janë “jetë të shkruara”, jo të vështruara nga vrima e çelësit.

Shumë prej tyre kanë qenë personazhe të kobshëm, subjekte që tërhiqnin drejt vetes fatkeqësi. Por unë nuk kam dashur të luaj pis, nuk kam qortuar. Nëse do të jetonin sot, sipas atyre që thuhen, këta shkrimtarë të mëdhenj thuajse të gjithë do të ishin perversë, psikopatë, njerëz që rrahin gratë, i tradhtojnë. Sepse tradhtia sot është lajm. Pra do të ishin njerëz të padurueshëm. Nuk po them që disa prej tyre nuk ishin të tillë, por a ishin kaq të frikshëm? Në këtë kohë ikonathyese, biografitë e vjetra janë krejt e kundërta e biografive të reja.

Fjala kyçe: të shkatërrosh.

Kundrejt të mëdhenjve, personave të famshëm, ka një lloj mllefi që ndoshta në thelb është thjesht zili. Por nëse të njëjtën lente zmadhuese do të vinim edhe mbi një bankier, mbi një mjek, mbi një parukiere apo mbi një këpucar, a nuk do të shihnim gjëra njësoj të shëmtuara? Kam frikë se po. E vërteta është se për jetët e artistëve dimë më shumë.

Sot faktet e jetës private përdoren kundër veprave.

Po, bojkotohen këngët e Michael Jackson, filmat e Roman Polanskit apo të Woody Allen, por unë po bëj pyetjen: Kur hamë në një restorant, a pyesim nëse kuzhinieri është burrë i mirë? Nëse e trajton mirë bashkëshorten dhe fëmijët? Është si të thuash se sjellja e papërshtatshme përcakton cilësinë e veprës. Ç’t’i themi kësaj? Më duket regres. Ndoshta në të ardhmen do të kuptojmë se kemi jetuar në kohët e turmave të çmendura.

Le të kthehemi te libri. Pavarësisht se si vepruan, thuajse të gjithë autorët për të cilët ju flisni, shqetësohen për pasardhësit, për brezat e ardhshëm, kanë një koncept të lartësuar. Po sot, çfarë idesh kemi?

E ardhmja, brezat e ardhshëm, janë një gjë që i përkasin të shkuarës. Mund të duket shaka, por nuk është. Me shpejtësinë e jetës, e tashmja është kthyer në një dimension që nuk zgjat. Kemi ardhur në pikën që për faktin e thjeshtë se një gjë ndodh në të tashmen, praktikisht është e shkuar. Për shembull kur një regjisor i famshëm, si Martin Scorsese, shpall daljen e një filmi të ri, megjithëse nuk ka dalë ende ai film duket sikur i përket së tashmes. Dhe në momentin që del në kinema, duket thuajse i harruar. Është sikur njerëzit ta kishin parë, por pa e parë vërtetë. U fol shumë për sezonin e ri të “Froni i Shpatave”, për thuajse dy vjet. Por më pas kur u publikuan seritë e reja, njerëzit dukej se e kishin parë. Menjëherë filloi të flitet për sezonin e ardhshëm. Në këtë kuptim, ideja e të ardhmes, e trashëgimisë, e pasardhësve duket absurde. Pa marrë parasysh edhe se e sotmja kërkon të duket superiore ndaj të shkuarës.

Në çfarë kuptimi?

Të gjallët kujtojnë se janë më të mirë se të vdekurit. Kohë më parë dëgjoja një regjisor të ri spanjoll i cili thoshte se “Ndjenja të egra” i John Ford dhe “Gruaja që jetoi dy herë” i Hitchcock ishin filma të mbivlerësuar. Ai thoshte se kishin skena plot defekte, duke bërë një fytyrë të shprishur. Ndoshta e shkuara goditet për të fshehur mediokritetin e së tashmes.

Përveçse të “shkruara” këto janë edhe “jetë të lexuara”. Çfarë lexuesi është Javier Marias?

Sot jam shumë pak i përditësuar. Mes botimeve të reja, të paktën për mua, libër interesant është vetëm një në dhjetë.

Nuk është edhe aq shkurajuese.

Por është diçka që të vjedh shumë kohë. Prandaj preferoj të rilexoj. Ose t’u dedikohem klasikëve që nuk kam lexuar ende.

Ju ka mbetur ndonjë?

Sigurisht. Deri pak më parë, për shembull nuk kisha lexuar “Kujtime të përtejvarrit” nga Chateaubriand. Por më mungojnë edhe shumë klasikë latinë.

Çfarë mendoni për Peter Handke dhe Olga Tokarczuk, fitues të çmimit Nobel.

Nuk kam lexuar shumë nga Handke, përveçse në vitet ’80-’90. Më pëlqenin më së shumti esetë, ku mes të tjerave flitej edhe Sorian, një qytet me të cilin jam shumë i lidhur. Më pëlqen që qysh atëherë Hadke u afeksionua me Numancian, skuadrën lokale për të cilën bëj tifo edhe unë.

Mendonim se pasioni juaj për Real Madrid ishte monogam.

Disa kohë më parë fitova një çmim dhe thashë me vete: Nëse Numancia, e cila sapo ishte ngjitur në Divizionin e Parë do të jetë aty deri në fund të kampionatit tjetër, do t’i dhuroj 5 milionë pesetas. Për një klub të madh do të ishin thjesht disa para xhepi, por për një skuadër të vogël nuk ishin pak.

Sot ku është Numancia?

Në Ligën e Dytë, më e bukura. Edhe sepse ndeshjet vazhdojnë të luhen të dielën. Me Ligën e Parë nuk po kuptohet më asgjë./Javier Marias, 68 vjeç, është shkrimtar spanjoll i përkthyer në 42 gjuhë të botës. Në shqip, janë botuar librat e tij “Një zemër kaq e bardhë”, “Nesër në betejë mendo për mua” dhe “Një zemër kaq e bardhë” nga Shtëpia Botuese “Dudaj”. Artikulli u përkthye nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *