Nuk di të bëj asgjë, por kam sukses sepse jam “influencer”
Personazhe që deri dje ishin anonimë, tani nëpërmjet një profili virtual shpesh të orientuar drejt stilit të jetesës, modës apo gjysmë-pornografisë, arrijnë të mbledhin rreth vetes miliona persona. Gjenerojnë të ardhura, duke ndikuar direkt te vendimmarrja e ndjekësve të tyre. Cilat janë modelet që po promovon “epoka online”?
Nga Erjon Uka/ Koncepti për punën ka ndryshuar shumë. Jashtëzakonisht shumë. Në fillim, mendohej si diçka tërësisht fizike, më pas u përqëndrua në krijimin dhe kontrollin e teknologjive, në punën intelektuale. Në mendimin që nxiste veprim. Ndërsa sot mund të thuhet se kemi hyrë në fazën e punës virtuale.
Pak javë më parë, një postim në Twitter i një modeleje, Kylie Jenner, i shkaktoi Snapchat-it 1,3 miliardë dollarë humbje në bursë. Vetëm me një fjali, ky person arriti të trondisë financat e një kompanie. Pse? Sepse ajo përfaqëson atë që në gjuhën e marketingut quhet “influencer”, pra një personazh që ndiqet nga shumë persona dhe kompanitë e përdorin për fushatat e tyre publicitare. Megjithëse siç u pa, kjo mund të kthehet edhe në boomerang. As kisha dëgjuar më parë për Kylie Jenner, por duke kërkuar pashë se kishte një sërë profesionesh si modele, prezantuese, sipërmarrëse dhe, më e forta nga të gjitha, “personalitet i mediave sociale”.
Ky është shembulli më i mirë se si rrjetet sociale, bota virtuale për të cilën Umberto Eco tha se i jep gojë budallenjve, po ndryshon rrënjësisht modelet e shoqërisë sonë. Ata nuk janë më sportistët më të mirë, artistët elitarë apo aktorët e Hollywood. Mjekët, shkencëtarët e filozofët jo e jo. Janë këta personazhe, që nëpërmjet një faqeje Instagrami, kryesisht të orientuar drejt stilit të jetesës, modës e herë-herë gjysmë-pornografisë, arrijnë të mbledhin rreth vetes miliona persona duke gjeneruar të ardhura për veten e tyre, e duke marrë statusin e influencuesit.
Nëse këta njerëz bëjnë apo jo diçka, punojnë apo jo, është diçka që ende konsumon shumë debat. Sipas një kuptimi tradicional të punës, ata normalisht nuk bëjnë asgjë, sepse nuk mund të quhet punë të postosh foto të të pasmeve nga pushimet në Maldive, apo të nxjerrësh video në kohë reale nga vaska e hotelit në Dubai. Sipas disa statistikave, 84% e atyre që quhen influencer janë gra, e gjysma e tyre janë mes 12 dhe 24 vjeç! Pra, mund të imagjinohet se sa shumë punë kanë bërë për ta merituar vëmendjen.
Por pas revolucionit high-tech, mundësitë që kjo lloj sjelljeje, fatkeqësisht, të quhet punë, është mëse e mundshme. Vetëm fakti që këta persona investojnë apo gjejnë mënyrën për të penetruar në tregun virtual, tregon se ndjekin një logjikë dhe një proces të caktuar vendimmarrjesh. Është e vërtetë, mund të kenë një profesion që deri pak vite më parë quhej “hobby”, nuk bëjnë asgjë sipas konceptit tradicional të punës, por influencojnë aq shumë në shoqërinë tonë, aq sa të ndikojnë në blerjet dhe kënaqësitë tona. Më shqetësuesja është se kjo metodë po shitet si model suksesi, e ndaj sot gjithnjë e më shumë kemi vajza e gra që sponsorizojnë profilet e tyre, postojnë pafundësisht foto të trupit dhe promovojnë jetën luksoze. E njëjta gjë edhe me meshkujt, të cilët me sjellje seksiste bëhen të pëlqyer nga masa.
Dikush mund të thotë se influencerat kanë ekzistuar gjithmonë. A nuk e bazoi “Nike” fushatën e saj të marketingut te figura e Michael Jordan? Është e vërtetë, por ama Michael Jordan nuk ishte një personazh që lindi nga hiçi dhe u promovua nga Nike, por ishte një ndër yjet në ngjitje të basketbollit që më pas u kthye në një mit. Ai nuk kishte as mjetet e tij për të komunikuar me publikun, nuk kishte as miliona ndjekës që e ndiqnin në Instagram. Ishte një simbol suksesi, i kontraktuar për t’u bërë imazh i një firme.
Yannis Vaurofakis, ish-ministri grek i financave, në një prej leksioneve të tij u tha studentëve se fundi i kapitalizmit do të vinte pikërisht prej zhvillimit të paimagjinueshëm të teknologjisë. Megjithëse parashikimi i tij vjen në një tjetër perspektivë dhe me tjetër qëllim, sepse njihet për prirjet e majta marksiste, në pohimin e tij ka një të vërtetë. Teknologjia po trondit themelet e liberalizmit dhe konkurrencës së lirë siç e njohim ne sot. Modeli i sipërmarrjeve po ndryshon radikalisht, mbi të gjitha prej mediave sociale dhe këtyre “personaliteteve” të mediave sociale, të cilët shpesh herë kthehen në manipulues dhe përdoren eksluzivisht nga kompanitë e mëdha që kanë mundësi financiare për t’i paguar. Ndërkohë kuptimi i punës nuk po ndryshon. Tashmë ka ndryshuar. Profesionistë që deri 15-20 vite më parë shiheshin si mëse të domodoshëm, sot duken si të ardhur nga epoka e dinasaurve. Një model i ri ekonomik po na diktohet, e ashtu si gjithmonë, duket se nuk kemi rrugëzgjidhje tjetër veçse të përshtatemi.
Botuar fillimisht në Tiranapost.al