Sikur edhe një herë live, Adriano
Adriano Celentano nuk është vetëm muzikë. Repertori i tij është dëshmi e gjallë e epokës sonë, që nga krizat ekonomike, çështjet ambientale dhe betonizimi i tejskajshëm i qyteteve, lufta dhe dhuna, politika, tradhtia apo identikite të ndryshme njerëzish që falë konformizmit arrijnë t’i imponohen shoqërisë.
Nga Erjon Uka/ Milano. Viti 1937. Giuditta përjeton prej ditësh disa ndjenja të çuditshme dhe nuk ndihet mirë. Shkon të vizitohet, por përgjigja e mjekut e lë pa fjalë. “Zonjë, jeni shtatzanë”. Nuk mund ta besojë, por në të njëjtën kohë është e bindur se ai fëmijë nuk do të mund të mbijetojë pasi është krijesë e prindërve të moshuar. Ishte 42 vjeç dhe për kohën konsiderohej e tillë. Por fëmija tregohet kokëfortë dhe e përshëndet botën prej asaj shtëpie në “Via Gluck”, më 6 janar 1938. E quajnë Adriano. Po. Si sot 80 vite më parë, lindi një mit.
Nuk mbaj mend ndonjë datë të saktë se kur mund të kem dëgjuar për herë të parë një këngë të Celentanos, por di se për shumë vite muzika italiane ishte qetësim dhe frymëzim për shqiptarët, e për familjen time gjithashtu.
Kujtoj se muzika e Celentanos përdorej në reklamat e televizioneve të para private në Shqipëri, andej nga fillimi i viteve 2000, e ndërsa sa herë nga kasetofoni i makinës niste “Il tempo se ne va” apo “L’emozione non ha voce”, volumi ngrihej dhe shprehja “Aaa, Çelentano ky” e shoqëronte gjithmonë fillimin e këngës.
Më pas në gjimnaz zbulova se nuk isha i vetmi që e admiroja Adrianon. Të nxitur edhe nga aksesi i internetit në celular, bënim garë se kush gjente këngë të reja të tij, të panjohura. Dhe nuk ishte fort e vështirë, sepse aty zbulova se repertori që kishim dëgjuar për vite në Shqipëri ishte vetëm një pjesëz e vogël e së gjithës. Edhe sot vras mendjen se si ka mundësi që 16-vjeçarë që pëlqenin rap, hip-hop apo reggaeton, admironin njëkohësisht 70-vjeçarin Celentano. Forca e artit, me siguri. E artit të vërtetë.
Sepse Adriano Celentano nuk është vetëm muzikë. Repertori i tij është dëshmi e gjallë e epokës sonë, që nga krizat ekonomike (Svalutation), çështjet ambientale dhe betonizimin e tejskajshëm të qyteteve (Il ragazzo della via Gluck), lufta dhe dhuna (Il figlio del dolore), politika (La situazione non e buona), tradhtia (Solo da un quarto d’ora), identikite të ndryshme njerëzish që falë konformizmit (Il conformista) arrijnë të bëjnë përpara në jetë. Por këndoi edhe për miqësinë, siç është “L’arcobaleno” me vargjet “U nisa kaq papritur, sa nuk pata kohë për t’ju përshëndetur…”. Këngë kushtuar Lucio Battistit.
Gjithmonë krijimet e tij i kam parë si pjesë të një filozofie, të pandikuar nga ndryshimet sociale apo kërkesat e tregut. Të shohësh performancën e parë në Sanremo në vitin 1961 dhe atë të fundit live, në Verona në 2012, përveç ngjyrave të televizorit e ca thinjave më shumë, Celentano duket i njëjti në skenë.
Duke ndjekur botën e sotme të spektaklit, ku fama më shumë arrihet jashtë skene se sa brenda saj, nuk ka si mos të të bëjë përshtypje konservatorizmi i një prej simboleve të Italisë për disa dekada. E vërteta është se ashtu si në çdo gjë, filozofia e Celentanos nuk ka ndryshuar. Prej 54 vjetësh i martuar me Claudia Morin, gjatë një interviste ka thënë se “Nuk kam besuar kurrë te divorci, edhe pse mendoj se njerëzit duhet të marrin një patentë për të qenë të autorizuar të martohen”.
Konsiderohet i pari që muzikën rock e bëri pjesë të Sanremos me të famshmen “24 mila baci”. Dhe është shembulli më i mirë se si çmimet nuk përfaqësojnë (gjithmonë) edhe shijet e publikut. U pozicionua në vendin e dytë, por prej pesë dekadash këndohet dhe dëgjohet me të njëjtën dëshirë si ditën e parë. Po kënga e vendit të parë? E kush e mban mend. “Kur u prezantova në Sanremo me “24 mila baci” më thanë se isha i dhunshëm. Për një festival si Sanremo, konsiderohesha si provokues me ato lëvizje të trupit. Madje u zhvillua edhe një hetim parlamentar se përsë, për pak çaste, i ktheva shpinën publikut dhe telespektatorëve”, do të thoshte vite më vonë gjatë një emisioni.
Në vitin 2012 zbriti në arenën e Veronës për të dhënë koncertin e fundit live. Dhe në një prej momenteve më të vështira politike dhe ekonomike të Italisë, festivali nuk mund të kishte emër tjetër përveçse “Rock economy”. Në dy net, 22 mijë persona e ndoqën live koncertin, ndërsa gjashtë mijë bileta u shitën me çmimin simbolik prej 1 euro. 18 milionë telespektatorë e shikuan live përmes Canale 5 duke e bërë koncertin më të ndjekur ndonjëherë. Edhe pse do të doja të isha edhe unë në atë koncert, sot, do ta ndjek sërish përmes ekranit të Canale 5 që e ritransmeton në homazh të 80 vjetorit. Me siguri nuk do ta kem ndonjëherë rastin ta dëgjoj live, ta shoh nga pak metra largësi e të përjetoj ato emocione që i shihja në fytyrat e spektatorëve në Verona. Megjithëse me Celentanon kurrë nuk mund të thuash kurrë.
Sikur edhe një herë live, Adriano…
*Artikull i botuar me rastin e 80-vjetorit të Adriano Celentano në 6 janar 2018 në Tiranapost.al, i risjellë në këtë blog më 6 janar 2020.