Borges
Tundimi i fundit i Martin Scorsese: Koha ime është e limituar, dua të shpëtoj nga gjithçka

Tundimi i fundit i Martin Scorsese: Koha ime është e limituar, dua të shpëtoj nga gjithçka

Regjisori tregon momentin me fat pas suksesit të “The Irishman” dhe ka nisur të bëjë llogaritë me moshën. Në një rrëfim miqësor, tregon uljet dhe ngritjet në botën e filmit, momentet e stresit, marrëdhënien e vështirë me teknologjinë por edhe kontratën e re me Netflix. “Do të më pëlqente të merrja një vit kohë të lirë thjesht për të lexuar. Ose për të dëgjuar muzikë kur ndjej nevojë, për të qëndruar me miqtë, sepse po ikin të gjithë. Miqtë vdesin. Familjarët po ashtu”, thotë ai.

Nga Dave Itzkoff/ Prej kohësh Martin Scorsese nuk ka qenë kaq entuziast për punën e tij, prej kohësh nuk i shihej ky pasion i rilindur për regjinë kinematografike, i përforcuar nga mirëpritja që iu bë filmit të tij kolosal mbi botën e gangsterëve, “The Irishman”. Por ai dëshiron të flasë për vdekjen. Që të jetë e qartë, nuk flet për të vdekurit në filmat e tij, as për vdekjen e dikujt tjetër. “Gjërat duhet t’i lësh të rrjedhin, mbi të gjitha kur ke vështrimin e privilegjuar të një moshe të shtyrë”, shpjegon në një takim të shtunën pasdite të muajit të kaluar.

Regjisori 77-vjeçar është shtrirë në një kolltuk të rehatshëm në sallonin e rezidencës së tij në Manhattan prej së cilës do të ngrihet herë pas here gjatë bisedës që bëjmë mbi dobësitë njerëzore dhe vdekjen. “Çështja është të heqësh qafe gjithçka tani”, thotë me një nga ato batutat e thata. “Duhet të dish çfarë të lësh të ikë dhe çfarë jo”. Dhe sigurisht faza e fundit e këtij procesi është ta lësh edhe jetën të shkojë. Siç duhet të bëjmë të gjithë. “Shpesh vdekja vjen papritur”, vazhdon. “Nëse të jepet avantazhi të vazhdosh të punosh, do të bëje mirë të gjeje diçka që vërtet ia vlen të tregohet”.

Scorsese e gjeti këtë frymëzin te “The Irishman”, filmi i tij monumental dramatik mbi jetën e Frank Sheeran (interpretuar nga Robert De Niro), një mafioz që pranoi vrasjen e Jimmy Hoffa (interpretuar nga Al Pacino). Për Scorsesen, realizimi i këtij filmi nuk ishte një impenjim pa shqetësime, dhe në fakt punët e tij nuk janë kurrë të tilla, duke qenë se ka luftuar gjatë kundër idesë së realizimit të një tjetër filmi të ambientuar në botën e krimit të organizuar dhe për më tepër duke çuar përpara një projekt me Netflix, në vend se të realizonte një prodhim tradicional kinematografik.

Pasiguritë i la mënjanë nga një histori e fushëveprimit dhe përmbajtjes që i tejkalon goxha “Goodfellas” dhe “Casinò”, dhe që tregon vitet e rënies së Sheeran kur gjendet vetëm dhe reflekton mbi etikën e veprimeve të tij. Duke e ditur se po përdor një jehonë më të fortë përtej filmit “The Irishman”, Scorsese thotë: “Gjithçka varet nga ditët e fundit të jetës. Është akti ynë i fundit”.

Por mbetet thellësisht i lidhur me karrierën e tij. Edhe pse pas gjysmë shekulli punë, “The Irishman” mund të përbëjë një finale të shkëlqyer të karrierës, nuk ka qëllim të ndalet këtu. Thotë se ajo që e motivon tani nuk është frika e vdekjes, por pranimi i faktit që vdekja i takon të gjithëve dhe fakti që e kuptuar i jep perspektiva të reja. “Siç thonë në filmin tim, “Vdekja është ajo që është”, pra duhet ta pranosh”.

Pikërisht si vetë Scorsese, shtëpia e tij është një monument i gjallë i regjisë kinematografike. Me përjashtim të portretit të imponuar të Guvernatorit Morris, një nga Etërit Themelues të SHBA dhe paraardhës i gruas së tij Helen, gjërat më befasuese që e rrethojnë janë posterat e mëdhenj të filmave të Jean Cocteau dhe Jean Renoir që i ka dashur shumë, mes të cilëve tre të filmit “The Grand Illusion”. Nga ana tjetër e korridorit, në sallonin e ngrënies, ka vendosur shumë sekuenca të “The Irishman”, “Silence” dhe “The Wolf of Wall Street”.

Scorsese e përjeton në vazhdimësi këtë histori, tregon se sa shumë i ka pëlqyer “Citizen Kane” kur shumë vite më parë e pa në një edicion televiziv, apo kur mbeti i shtangur kur John Cassavetes, idhulli dhe mentori i tij, mori një shumë që dukej astronomike (një milionë dollarë) për të xhiruar “Husbands” me Columbia Pictures, filmin e tij dramatik të vitit 1970 mbi krizën e moshës së mesme.

Scorsese ka kujtime të gjalla edhe nga fëmijëria e tij: është rritur në Little Italy, ku në formim është ndikuar nga shumë njerëz, mes të cilëve prindërit, priftërinjtë katolikë të lagjes dhe kriminelët e zonës prej të cilëve më vonë u frymëzua për filma si “Mean streets”. Filmat e tij të parë kishin tendencën të lartësonin kriminelët dhe dhunën me të cilën njolloseshin. Për këtë, sot Scorsese thotë: “Epo, ishin figura emocionuese dhe tërheqëse, nuk është e vërtetë? Kur je i ri dhe budalla, se shumica kështu janë, priresh t’i mendosh si të tillë kriminelët. Për mua ishte pikërisht kështu”.

Rinia e tij, në një farë mënyre ishte një formë fillestare e kulturës së vdekjes. Angazhohej si klerik gjatë meshave funebre në kishën e St. Patrick dhe ndihmonte një shok për të vendosur lulet gjatë varrimeve. Kur ishe adoleshent, humbi dy miq brenda pak kohësh – njëri për shkak të kancerit dhe tjetri për shkak të një aksidenti – dhe njëri prej funeraleve ku mori pjesë në një varrezë pranë një fabrike, i ka lënë përshtypje të pashlyeshme. “E gjetëm veten të ngecur diku në një ngastër të vogël toke në Queens. Një skenar kaq i shëmtuar dhe i zymtë. Për mua ishte një tronditje e vërtetë, një lloj zgjimi. Nuk jam edhe aq i sigurt, por mendoj se më shtyu të ndryshoja.”

Pasja e një syri të mprehtë për detajet makabre dhe vendosmëria për t’i riprodhuar me përpikmëri i ka shërbyer shumë Scorseses, por në një moment kur po xhironte historinë e mafiozëve në filmin “Casinò” të ambientuar në Las Vegas (1995) gjatë skenës kur personazhi i interpretuar nga Joe Pesci u rrah për vdekje dhe u varros në një fushë misri, regjisori nisi të pyeste veten se mos e kishte ekzagjeruar. “I thashë vetes se nuk mund të vazhdoja më kështu”.

Në dy dekadat pasuese, regjisori arriti të shmangte projekte kinematografike dramatike të ambientuara në botën e krimit të organizuar. Me përjashtim të “The Departed”, film që në fund të fundit fitoi edhe një çmim Oscar. Pavarësisht tematikës së filmit, Scorsese tregon se u ndje i lodhur nga këto punë, mbi të gjitha kur e gjeti veten si gjithmonë të luftonte me menaxherët e prodhimeve kinematografike që donin të shkurtonin kohëzgjatjen e filmave. Scorsese kujton se “Në dy javët e montazhit të The Aviator” e braktisa punën për shkak të stresit. I thashë të gjithëve se nëse ishte kjo mënyra e të bërit filma, nuk do të bëja më kurrë”.

Por nuk e braktisi profesionin e tij përgjithmonë. Madje nisi t’u drejtohej gjithmonë e më shpesh financuesve privatë për të marrë mbështetje për projektet e tij, duke besuar seriozisht se shtëpitë kinematografike dhe ai ishin bërë armiq të përjetshëm. “Është si të gjendesh i mbyllur në një bunker dhe të nisësh të qëllosh nga të gjitha drejtimet. Në një pikë të caktuar, kupton se nuk po flitet e njëjta gjuhë dhe prandaj nuk mund të bësh më filma”.

Fillimisht kur Robert De Niro e kontaktoi për t’i treguar materialin që frymëzoi “The Irishman”, Scorsese hezitoi: “E pashë si rrezik”, thotë, duke pasur frikë se në portofolin e veprave të tij mund të figuronte thjesht si një tjetër film mbi botën e mafies.

Scorsese e sheh botën rreth duke ndryshuar, duke u bërë gjithmonë e më pak e njohur. E pranoi me mirënjohje kontratën me Netflix që mbuloi buxhetin e “The Irishman”, që mesa thuhet është rreth 160 milionë dollarë, por në marrëveshje është parashikuar që pas një shpërndarjeje të limituar në sallat e kinemasë, filmi të transmetohet në platformën e Netflix. Kjo do të thotë se shumë prej shikuesve do ta shohin filmin prej tre orësh e gjysmë në disa seri dhe jo në një te vetme, siç do të dëshironte regjisori. Por gjithsesi, Scorsese thotë se do që “The Irishman” të jetë i disponueshëm për të gjithë në çdo moment dhe në çdo formë. “Mendova se edhe nëse do të projektohej në një cep rruge, ndoshta një ditë do të bëhej pjesë e historisë. E mendova me të vërtetë”, thotë ai.

Netflix deklaroi se në javën e parë të transmetimit në platformë, “The Irishman” u pa nga më shumë se 26,4 milionë përdorues. Por mbretëria e smartphone, e tabletave dhe e gjithë pajisjeve që lejojnë live streaming për Scorsesen janë të papërfillshme. “Dal, më marrin me makinë, më çojnë me ndonjë vend, flas me dikë dhe unë përgjigjem “po”, pastaj kthehem në shtëpi dhe përpiqem të hyj brenda pa u vënë re nga qentë, që më hidhen përsipër si të çmendur nga qejfi”.

Scorsese tregohet i kujdesshëm kur e pyesin se cili prej filmave të vitit 2019 i ka pëlqyer, duke thënë se i duhet ende të shohë shumë. Pavarësisht, thotë se i ka pëlqyer shumë “Parasite” i Bong Joon-Ho. Gjithashtu e di se “Joker” i bën homazh shumë prej veprave të tij, por ende nuk e ka parë të plotë dhe nuk pranoi të merrte pjesë në projektin e tij. “Kam parë disa fragmente, kështu që ç’më duhet më shumë? E kam kuptuar. Është i mirë”.

Megjithëse ka deklaruar ndryshe, Scorsese do të kthehet sërish në studiot kinematografike të Hollywood për filmin e tij të radhës, “Killers of the flower moon”, një përshtatje e filmit jo-fiction të David Grann mbi shfarrosjen e indianëve Osage në Oklahoma gjatë viteve ‘20 dhe që do të financohet nga Pramount.

Aspiratat e tjera të Scorsese nuk kanë të bëjnë me regjinë. “Do të më pëlqente të merrja një vit kohë të lirë thjesht për të lexuar. Ose për të dëgjuar muzikë kur ndjej nevojë, për të qëndruar me miqtë, sepse po ikin të gjithë. Miqtë vdesin. Familjarët vdesin.” Një nga pengesat për të bërë këto gjëra, është ai vetë, për shkak të impulsit që e detyron të tregojë histori në mënyrën që di më mirë. “Nëse lexoj një libër apo takoj një mik, direkt them: Ja, do ta bëj film. Në të shkuarën e bëja, por tashmë mundësitë por zvogëlohen”.

Më pas, sigurisht është edhe limiti tjetër suprem: vdekja. Por pikërisht sepse me vdekjen as mund të negociosh dhe as nuk mund ta njohësh, nuk do të thotë se nuk mund të matesh kundër saj çdo ditë. “Problemi është se koha është e limituar. Energjitë janë po ashtu të limituara. Koka natyrisht që po. Për fat të mirë, kurioziteti jo.”/Botuar në “The New York Times”, përkthyer në shqip nga Erjon Uka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *