Nobeli në Suedi dhe kryeneçësia shqiptare
Nga Erjon Uka/ Në vitin 2010, 1 milionë njerëz humbën jetën nga uria dhe kequshqyerja, ndërsa 3 milionë nga obeziteti. Mund të duket cinike, sepse pas këtyre shifrave ekzistojnë histori njerëzore, por këto të dhëna përdoren vazhdimisht edhe në funksion të komunikimit publik për të treguar se sa të ndryshme janë problemet me të cilat do të duhet të përballemi në shekullin XXI. Uria do t’i lerë vendin obezitetit, depresioni merr më shumë jetë se sa luftërat, informacioni ka më shumë fuqi se sa minierat e arit, e kështu me radhë.
Kjo natyrisht është e vërtetë, por pjesërisht, dhe çmimi Nobel në Ekonomi e konfirmon këtë gjë. Bollëku është rritur ndjeshëm, por varfëria ende mbetet një problem në shumë vende të botës. Prandaj Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer, laureantët e këtij viti, u vlerësuan për shkak se me punën e tyre kanë rritur mundësitë për ta luftuar në mënyrë konkrete varfërinë. Si rezultat i studimeve të aplikuara në terren, kanë përfituar mbi 5 milionë fëmijë indianë përmes programeve shkollore. Banerjee dhe Duflo në librin e tyre “Poor Economics” kanë sqaruar se duhet luftuar kundër tre “i”-ve: ideologjive, injorancës dhe inercisë. Për këtë, kanë zgjedhur që studimet e tyre t’i kryejnë jo rehatinë e zyrave të Massachusetts Institute of Technology, por pranë njerëzve që vërtetë vuajnë nga varfëria. Zgjodhën të mos propagandojnë në mënyrë shabllone sloganet e zakonshme të djathta se “vetëm tregu i lirë mund të luftojë varfërinë” apo ato të majta si “të shtojmë subvencionet për të varfërit”. Edhe Akademia e Nobelit i ka vlerësuar pikërisht për aftësinë e tyre për ta ndarë problemin e madh të varfërisë në çështje më të vogla dhe të menaxhueshme, si për shembull ndërhyrjet për të përmirësuar shëndetin e fëmijëve apo rritjen e aksesit në arsim.
Përtej kësaj, puna e treshes Banerjee-Duflo-Kremer dhe vlerësimi që iu bë nga Akademia Suedeze, tregon se problemi i varfërisë, megjithëse në zvogëlim, nuk është aspak diçka që tashmë i përket së kaluarës. Ende jo. Shumë energji dhe dije janë përqëndruar në përmirësimin e gjendjes ekonomike të miliona njerëzve që jetojnë në kushte ekstremisht të vështira, duke nisur nga një koncept universal dhe bazik: njohja e problemit dhe përballja me të.
Diçka që fatkeqësisht nuk po ndodh ende në Shqipëri. Madje krejt e kundërta. Duket se ka një thuajse patologji, një kryeneçësi të vazhdueshme për të refuzuar realitetin, me përpjekje që fillojnë nga krahasimet e pjesshme dhe të pavlera me vetveten para gjashtë, dhjetë apo njëzetë e nëntë vjetësh, te shifrat dhe grafikët e pakuptimtë për publikun, te politikat e minutës së fundit dhe deri te nismat sporadike që mund të jenë të vlefshme nëse aplikohen nga një fondacion bamirësie por kurrësesi nga qeveritë.
Një politikë që ende mungon është pikërisht përcaktimi i minumimit jetik. Kjo do të tregonte vullnetin për t’u përballur me varfërinë dhe seriozitetin e politikave për ta luftuar atë. Çdo pranverë apo vjeshtë pretendojmë që të nisim procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian apo flasim për projekte miliona euroshe, por jemi në kushtet kur ndihmat ekonomike apo pagesat e invaliditetit nuk i kalojnë pesë mijë lekë, ndërsa pensioni minimal nuk është më shumë se dhjetë mijë lekë. Ka vetëm një përpjekje të Avokatit të Popullit për të përllogaritur minimumin jetik, dhe ai është 16 mijë lekë në muaj. Për të marrë minimumin e kalorive ditore, një personi i duhen 7,089 lekë, ndërsa për shpenzime të tjera jo-ushqimore 8,913 lekë. Praktikisht e gjithë kjo shtresë vurnerabël jeton me tre herë më pak të ardhura.
Miratimi i minimumit jetik nga qeveria, do të shoqërohej me një faturë disi “përcëlluese”, pasi të gjitha pagesat e ndihmës sociale, invaliditetit apo pensioni minimal do të duhej të ishin sa minimumi jetik, pra duke u rritur deri në 150%. Sigurisht në logjikën ekonomike mund të tingëllojë si diçka e çmendur, por a nuk do të ishte e drejtë të bëhej një kompromis për ta arritur këtë gjë?! Minimumi jetik është edhe çështje dinjiteti: ka të bëjë me mundësinë që i ofrohet çdo njeriu për të plotësuar nevojat bazike. Pra për të jetuar siç e ka emrin: Njeri! Dhe kjo nuk është një çështje e majtë ose e djathtë, është diçka që është mbi dhe përtej palëve. Ç’vlerë kanë shifrat, krahasimet, sukseset dhe trumbetimet, nëse polarizimi është kaq i madh ku më shumë se një e treta jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë? Ku matësit e varfërisë janë të njëjtë me vendet e afrikane dhe ku quhet “varfëri relative” nëse merr deri në 2 dollarë në ditë?
Nëse Milton Friedman thoshte se liria ekonomike është parakusht për lirinë politike, duhet thënë gjithashtu se mirëqenia ekonomike, plotësimi i nevojave bazike, është parakusht për mirëqenien intelektuale dhe kulturore. Prandaj është krejtësisht i pakuptimtë dhe destruktiv refuzimi i realitetit ekonomik dhe social. Në këtë kontekst le të shërbejë mirënjohja e Akademisë Suedeze ndaj ekonomistëve që përpiqen për ta luftuar varfërinë për të sensibilizuar politikbërësit shqiptarë që të kuptojnë një koncept të thjeshtë: për ta ndryshuar realitetin, fillimisht duhet ta njohësh atë.
Artikulli është botuar gjithashtu në Gazetën Mapo, versioni print, më 18 tetor 2019.